Mega-afera e Portit të Durrësit/ BE: Po monitorojmë, duhet transparencë

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri i kërkon qeverisë më shumë qartësi dhe transparencë në lidhje me marrëveshjen me kompaninë arabe sa i përket projektit të marinës në Portin e Durrësit.

Në një reagim për gazetën “Panorama”, BE thekson se siç parashikon marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, qeveria shqiptare duhet t’u japë mundësinë e garës kompanive nga vendet evropiane.

 “Për sa i përket rizhvillimit të Portit të Durrësit, BE-ja ka nënvizuar vazhdimisht nevojën për qartësi dhe transparencë për marrëveshjen tregtare të lidhur mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit, kompanitë nga vendet e BE-së duhet të kenë mundësi të konkurrojnë mbi baza të drejta dhe të barabarta për kontratat publike”, thuhet në reagimin e delegacionit evropian për gazetën “Panorama”.
Ndërkohë paralajmërojnë se po ndjekin me vëmendje të gjitha zhvillimet që lidhen me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe integrimit në BE dhe se më pas do të raportohen në Parlamentit Europian dhe në institucionet Shqiptare.

“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e rëndësishme për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit dhe për procesin e anëtarësimit në BE, përfshirë në raportin vjetor të Komisionit, si dhe do t’i trajtojë ato me institucionet shqiptare në forumet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së BE.

Sakaq, delegacioni i Bashkimit Evropian nuk ka informacion as për planet e qeverisë për aktivitetin e portit të ri. “Për sa u përket planeve të shpallura për zhvendosjen e aktiviteteve të Portit të Durrësit, presim të marrim detaje të mëtejshme nga qeveria”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Reagimi vjen pas një kërkese nga kreu i opozitës, Sali Berisha. Berisha tha se Bashkimi Europian i njeh këtij porti një rol strategjik dhe të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë.

Për këtë arsye, Berisha tha se Brukseli duhet të hetojë mega-aferën e Ramës, që synon zhdukjen e këtij porti.

“I bëj thirrje BE-së për të ndaluar këtë aferë korruptive dhe të nisë një hetim rreth aferës korruptive të portit të Durrësit dhe të bëjë gjithçka që ky port të mbetet, port strategjik kryesor i Shqipërisë, i rajonit dhe BE-së në rajon”.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme