E përditshmja më e madhe serbe, “Blic”, edhe sot e ka vazhduar serinë e shkrimeve trilluese për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në serinë e katërt të shkrimeve për “Klanin Haradinaj” të “kontrabandës së armëve” nga Evropa Perëndimore në pjesën e Ballkanit Perëndimor, “Blic” e ka përfshirë deklaratën e ministrit serb të policisë, Nebojsha Stefanoviq .
“Mos të mbetet kjo vetëm si artikull, por ta dimë nëse është e vërtetë. Nëse dikush nga policia ka marrë pjesë në diçka të tillë, kjo mos të kalojë pa u ndëshkuar”, ka thënë Stefnoviq, transmeton lajmi.net.
Kjo gazetë, megjithë paralajmërimin e Haradinajt për padi dhe angazhimin e avokatit, Arianit Koci që të merret me padinë, vazhdon të insistojë se dikush nga krerët e policisë serbe në Novi Sad “është pjesë e grupit të Haradinajt”.
Personi i besueshëm i njerëzve të Haradinajt për të cilin ‘Blic’ ka shkruar nuk është shefi i policisë, Radakoviq. Bëhet fjalë për njërin nga njerëzit kryesor me pozitë të lartë brenda policisë së Novi Sadit”, shkruan “Blic”.
Deri me tash kjo gazetë ka raportuar se si kinse ish kryeministri Haradinaj dhe vëllai i tij, Dauti, kanë kontrabanduar armë nga Gjermania dhe Holanda, përmes Serbisë dhe i kanë dërguar në Kroaci.
Më pas, “Blic” thekson se me ato para, Haradinaj ka investuar në patundshmëri dhe ndërtesa në Vojvodinë.