ryetari i RDK-së Vesel Memedi u është kundërpërgjigjur akuzave të kreut të Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela.
Sipas tij, RDK dhe vetë ai, “fuqishëm i kanë qëndruar dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik koalicionit Aleanca për Shqiptarët në përbërje RDK, LR-PDSH dhe UNITETI, me çka u fituan tre deputet të këtij koalicioni në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016”.
“Kuvendi i Maqedonisë dhe KSHZ janë dëshmitë më të mira për këtë besnikëri, sepse edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jemi koalicion Aleanca për Shqiptarët (RDK, LR-PDSH, UNITETI). Nga ky koalicion u largua LR-PDSH, dhe në mënyrë klandestine e ndryshoi emrin e subjektit të vet LR-PDSH, një javë para skadimit të afatit të dorëzimit të listave për zgjedhjet lokale dhe manipuloi duke përvetësuar emrin Aleanca për Shqiptarët. Se si ka ndodh ky ndryshim, urdhëroni hulumtoni për të kuptuar dhe nxjerr në sipërfaqe të vërtetën. Vesel Memedi, është deputet i vetëm i këtij koalicioni prej tri subjekteve politike dhe vazhdon të mbroj me ngulm konceptin dhe qëllimin e formimit të këtij koalicioni”, ka theksuar Veseli.
Sipas tij, njerëzit që mendojnë se me akuza boshe do të mund të arrijnë diçka e kanë të kotë sepse është dëshmuar se kjo logjikë e hedhjes së fajit te kundërshtarët politik për shkak të paaftësisë tënde nuk mund asnjëherë të jetë e suksesshme.
“Prandaj, kërkoj nga Sela që mllefin për dështimin e vet në politikë të mos e orientoj drejt meje, por le ta kërkoj brenda bashkëpunëtorëve të vet që kanë bë pazare të nëntokës. Sikur kjo logjikë e akuzave boshe të ishte e suksesshme, atëherë edhe unë do të përdor të njëjtën logjikë dhe do të akuzoj se LR-PDSH ka kaluar në VMRO- DPMNE, sepse sekretari gjeneral i kësaj partie theksoi se ideologjikisht LR-PDSH është shumë e afërt me ideologjinë e VMRO-DPMNE-së. Është e vërtetë z.Sela që na të dytë zgjodhëm të jemi mjeshtër në politikë dhe të bashkudhëtojmë drejt qëllimeve të parapërcaktuara politike, por jo edhe të përdorim të gjitha mjetet e lejuara dhe jo të lejuara për të arrit qëllimin, sepse kjo nuk i bëhet partnerit. Më vjen keq që në kohën e fundit e ka kuptuar se zbukurimi nuk është veshje, dhe tani në stinën e dimrit e ka kuptuar se do ftohet vet, dhe gjithë ata që i ka zbukuruar kanë filluar të dridhen nga i ftohti, dhe kërkon kulm shtëpie ku të futet për tu ngrohur, dhe më akuzon mua se jam futur në shtëpinë BDI-së. Jo i nderuar Sela. Unë Vesel Memedi, kam shtëpinë time me tapi, që ka adresë RDK, dhe bashkë me anëtarët dhe simpatizantët besnik zhvillojmë aktivitetet tona në kontinuitet me sinqeritet dhe besnikëri deri në arritjen e qëllimeve të parapërcaktuara. E kuptoj që ju zuri dimri duke bërë lojëra, dhe po dridheni nga i ftohti, por nuk jam fajtorë unë. Kërkoje fajin te vetja dhe te ata që dëshironin të dukeshin bukur”, thekson në reagimin e tij, Vesel Memedi, kryetar i RDK-së.