Karvani i Organizatës Kulturore Humanitare “Merhamet” ka vazhduar sot me shpërndarjen e pakove me produkte ushqimore për familjet në nevojë, kësaj radhe nëpër fshatrat e komunës së Likovës. Aktivistë të kësaj shoqate kanë shpërndarë gjithsej 130 pako në 13 fshatra të komunës së Likovës, përfshirë këtu fshatrat Llojan, Vaksincë, Sllupçan, Mateç, Nikushtak e kështu me radhë. Nga organizata Merhamet thonë se shpërndarja e pakove në komunën e Likovës, është pjesë e aksionit humanitar të filluar dje në Kumanovë, por që synon të shpërndajë pako me produkte ushqimore për nevojtarët në tërë Maqedoninë.
“Edhe sot po vazhdon karvani i Organizatës Humanitare ‘Merhamet’ me shpërndarjen e pakove ushqimore në Komunën e Likovës duke i përfshirë të gjitha fshatrat. Kjo është dita e dytë që po vazhdojmë, pasi mbaruam me qytetin e Kumanovës”, tha Kujtim Ismaili nga OKH “Merhamet”.
Qytetarët u shprehët falënderues ndaj organizatës “Merhamet”, duke theksuar se rrallëkush mendon për nevojtarët e kësaj ane.
“Përshëndes Organizatën Humanitare ‘Merhamet’ të cilët kanë gjetur kohë për të na vizituar, për të na shpërndarë disa ndihma me pako ushqimore për skamnorët. Kanë bërë edhe ndarjen në komunën e Likovës duke i përfshirë të gjitha fshatrat, duke filluar prej fshatit Ropalcë, Nikushtak, Matec dhe gjithë komunën e Likovës. Falënderojmë për ndihmën që na ka në ofruar”, tha një banor i fshatit Mateç.
Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, organizata Merhamet do të shpërndajë gjithsej 4500 pako me produkte ushqimore në Maqedoni. Ky aksion përkrahet nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke, Fondacioni Humanitar IHH nga Turqia dhe organizata ndërkombëtare VEFA nga Gjermania. Gjithashtu, pjesë e këtij aksioni janë edhe disa iftare të paralajmëruar nga Organizata Kulturore Humanitare “Merhamet”. /SHENJA