Autor: Hadi Osmani
Jeta dhe kushtet e vështira në Kosovë, e kishin detyruar familjen e saj që të braktisë Ferizajin dhe të shpërngulen në Zvicër. Por, ndarja fizike me tokën shqiptare nuk kishte nënkuptuar edhe ndarje me shpirtin shqiptar. Merita Pinta kishe marë me vete edhe shpirtin human të shqiptarëve dhe atë nuk e kishte ruajtur vetëm për vetë dhe familjen e saj. Me shumë përkushtim ajo vazhdoi edukimin dhe profesionalizimin e saj në Zvicër dhe gjitha virtyret njerëzore, profesionale dhe humane i vendosi në shërbim të kategorisë më të ndijshme. Pas shumë përpjekjeve zonja Merita, një bashkëshorte dhe nënë për ta marë shembull të gjithë, arriti të hapë institucionin për përkujdesjen e pleqve. Sot si 39 vjeçare ajo është një nga femrat më të reja dhe më të suksesshme shqiptare në diasporë dhe me të cilën shpesh mburren shumë gjenerata, organizata dhe shoqëri të shqiptarëve jo vetëm në Zvicër, por në të gjitha vendet ku jeton mërgata shqiptare. Me autoritetin që gëzon në federatën helvetike, Merita Pinta është bërë një simbol i krenarisë dhe mburrjes së gjithë shqiptarëve, por zgjuarsia dhe modestia e saj e pashembullt e ka bërë që ajo të jetë gjithmonë pranë të gjithë miqve, dashamirëve, nevojtarëve dhe bashkëkombasve shqiptarë e bashkëqytetarëve zvicran. Merita Pinta dhe institucioni për përkujdesin e personave të moshuar është bërë edhe një çerdhe që mirëpret dhe ndihmon edhe shoqëritë shqiptare në diasporë, duke u bërë edhe nikoqire e shumë aktiviteteve dhe evenimenteve me rëndësi për mërgimtarët shqiptar. Guximi, përkushtimi dhe suksesi i zonjës Merita është bërë një shembull që me plot të drejtë admirohet edhe nga të gjithë bashkëkombasit, duke u bërë për shumë familje shqiptare një shembull dhe stimul për brezat e rinj që lindin, rriten e shkollohen në diasporë.