Qytetarët turq mund të vijnë të sigurt në Gjermani, ka thënë sot kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke e hedhur poshtë paralajmërimin e Ankarasë se qytetarët turq duhet të kenë kujdes kur të udhëtojnë për në Gjermani për shkak të, siç ka thënë, një ndjenje në rritje anti-Turqi atje.
Tensionet mes Berlini dhe Ankarasë janë rritur muajt e fundit, ndërsa paralajmërimi i Turqisë këtë të shtune erdhi pasi Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha të martën se gjermanët që udhëtojnë për në Turqi rrezikojnë të paraburgosen në mënyrë arbitrare madje edhe në zonat turistike, transmeton Express.
“Dua ta them qartë se të gjithë qytetarët turq mund të vijnë këtu”, tha Merkel sot në qytetin veriperëndimor gjerman, Delbrueck, gjatë një fushate para zgjedhjeve të 24 shtatorit.
“Asnjë gazetar nuk arrestohet këtu dhe asnjë gazetar nuk futet në paraburgim. Liria e mendimit dhe sundimi i ligjit mbizotërojnë këtu dhe për këtë jemi krenar”, ka thënë Merkel.