Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se me “kureshtje” dhe “kënaqësi” e pret takimin e sotëm me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donnald Trump, në Uashington.
“Gjithnjë është më mirë të bisedohet me njëri-tjetrin se sa për njëri-tjetrin”, i tha Merkel gazetës, Saarbruecker Zeitung.
E pyetur nëse të dy palët janë kureshtare, kancelarja Merkel tha se “definitivisht ka kureshtje, po ashtu edhe kënaqësi për takimin me njëri-tjetrin… së paku nga ana ime”.
Ky takim, i cili ishte paraparë për 14 mars por ishte shtyrë për shkak të motit të keq në Uashington, do të jetë takimi i parë i dy liderëve, prej se Donald Trump është zgjedhur president, në muajin nëntor të vitit të kaluar.
Kancelarja Merkel tha se ajo dëshiron të bisedoj me presidentin Trump për çështje të sigurisë, ekonomisë, dhe për të ardhmen e bashkëpunimit ndërkombëtar, transmeton Rel.
Lidhur me shqetësimet për luftë tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, Angela Merkel theksoi se “vendet tona përfitojnë kur punojnë mirë së bashku dhe në mënyrë korrekte”.