Merkel nesër pret Thaçin, kryetemë – zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të takohet nesër, më 9 maj, në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Sipas paralajmërimit të këtij takimi, kryetemë midis tyre do të jetë dialogu me Serbinë, një proces i ndërmjetësuar nga BE.

Zyra e Merkelit kishte njoftuar më herët se ajo pret Thaçin më 9 maj, në orën 17 e 30, në Berlin.

Takimi do të mbahet pikërisht më 9 maj kur festohet Dita e Evropës.

Temat kryesore të bisedimeve do të jenë marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Gjermani si dhe diskutimi i çështjeve kyçe rajonale.

Takimi Merkel-Thaçi, vjen në kohën kur Gjermania po kërkon që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë marrëveshje ligjërisht obligative, si përfundim i armiqësisë mes tyre.

Berlini është i pakënaqur me hapat që janë bërë në këtë proces dhe kërkon si nga Beogradi, ashtu edhe nga Prishtina zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe përparim në pjesën e mbetur të problematikave.

Kjo vizitë e Thaçi ndodh thuajse një muaj pasi po në Berlin Angela Merkel priti presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në takimin me presidentin serb, Merkel ka përsëritur kërkesën që pritet t’ia adresojë edhe Hashim Thaçit, zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Presidenti serb deklaronte pas takimit se Serbia “mbetet e angazhuar të realizojë plotësisht pjesën e saj të detyrimeve që ka marrë nga dialogu”, ndërsa në intervistat e deklaratat publike që ka bërë në Beograd, fajësoi Kosovën për zvarritje të implementimit të ujdive, sidomos sa i takon krijimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Një ditë më parë, Vuçiq nuk përjashtoi se në një të ardhme jo fort të largët Serbisë do t’i duhet që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe shtoi se nëse do të kishte guximin ta merrte vetë një vendim të tillë, ky do të ishte fundi i tij politik.

“Shpresoj në një zgjidhje për çështjen e Kosovës, po pavarësisht zgjidhjes që do të vijë ajo do të jetë fundi im politik, pasi serbët nuk do të më falin edhe nëse vendimi bëhet për paqen dhe të ardhmen e vendit”, deklaroi për “Kurir” presidenti serb.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme