Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi sot se marrëdhëniet e tendosura të vendit të saj me Turqinë nuk mund t’i kthehen normalitetit pa lirimin e një gazetari turko-gjerman dhe përmirësimin e shtetit të së drejtës.
Kancelarja gjermane priti në Berlin kryeministrin turk, Binali Yildirim për bisedime që së pari duhet të konfirmojnë fillimin e përmirësimit të marrëdhënieve mes dy partnerëve të NATO-s.
Por ajo bëri të ditur se nuk kishte ardhur ende momenti për të kthyer faqen.
“Vizita në Berlin e kryeministrit turk, Binali Yildirim përbën një sinjal pozitiv për të dy palët për përmirësimin e marrëdhënieve turko-gjermane dhe për t’i sjellë ato në bazë të vlerave të përbashkëta, por për momentin nuk është e lehtë”, deklaroi Merkel për shtypin.
“Ne dimë që marrëdhëniet tona dypalëshe kanë kaluar një fazë të vështirë dhe vazhdojnë ende të jenë në një fazë të tillë”, theksoi kancelarja.
Ndërkohë kryeministri turk, Binali Yıldırım në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel theksoi se Turqia priste mbështetje më të madhe nga miqtë në luftën kundër terrorizmit.
“Është i qartë sensibiliteti ynë në marrëdhëniet Turqi-Gjermani. Bëhet fjalë për organizatën terroriste PKK, organizatën terroriste PYD/YPG. Në fakt, YPG është degë e PYD/PKK-së në Siri. Ne dëshirojmë t’i shohim më afër miqtë tanë teksa zhvillojmë këtë luftë”, nënvizoi Yıldırım.
Duke folur për çështjen e refugjatëve, kryeministri turk, Yıldırım theksoi se çështja e refugjatëve nuk është vetëm çështje e Turqisë e as çështje e prodhuar nga Turqia, duke shtuar se vendi i tij ka strehuar 3,5 milionë persona të cilët janë përpjekur të shpëtojnë nga lufta.