Gazetar: Miki trajkovski
Antikorrupsioni nuk është i kënaqur me veprimet e organeve të drejtësisë pas vendimit të SHBA-së për të futur në listën e zezë kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merkon, shkruan Alsat.
Edhe pas tre muajsh nga vendimi i tillë, nuk ka asnjë informacion se çfarë është ndërmarrë pas akuzave të Departamentit të Shtetit për dyshime për korrupsion dhe nuk ka asnjë informacion për denoncimet që Agjencia Kundër Korrupsionit i ka bërë ndaj Merkos.
“Përveç që po punohet për to, nuk kemi asnjë informacion tjetër, në mënyrë që qytetarët të kenë besim se çfarë po ndodh dhe të mos ndodhë asgjë në prapaskenë, duhet të rritet pak më shumë transparenca dhe duhet dhënë shpjegime për çdo rast për sa i përket hetimit, për atë se çfarë po ndodh. Unë personalisht prisja që më shpejt të kishte zgjidhje, disa rezultate sepse publiku ishte i interesuar, jo vetëm vendor por edhe ai ndërkombëtar dhe disi prisja që të kishte rezultate më shpejt”, tha Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK-së.
Antikorrupsioni deri në Prokurori ka bërë denoncim kundër Merkos për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të falsifikimit të të dhënave për konsolidimin e parcelës ndërtimore në Strugë..
“Janë dhënë informacione të rreme, është futur në pronë private dhe për këtë kemi paraqitur iniciativë për ndjekje penale”, u shpreh Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK-së.
Në Prokurorinë Themelore Publike pyetëm deri ku janë hetimet për Merkon, por nuk morëm përgjigje.
Gjithsej 30 raste janë hapur kundër Merkos nga viti 2006 deri në vitin 2023, nga të cilat 14 janë tashmë të vjetruara, ndërsa 16 janë ende aktive. / Alsat.mk