I pyetur nëse fitorja e Vetëvendosjes do të reflektojë në zgedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut, konkretisht te partitë shqiptare, analisti Ergys Mërtiri tha se jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por kjo ka reflektuar edhe në Shqipëri.
“Gjithçka që ndodh mes shqiptarëve ka efekt. Pra ka përcjellë ndryshime, transformime kudo, jo vetëm këtu por edhe në Tranë ka përpjekje për të ndjekur shembullin e Vetëvendosjes. Sigurisht që Vetëvendosje është një model se si në politikë ti mundet të mbërrish”, deklaroi Mërtiri.
Maqedonia e Veriut ja ka kaluar Shqipërisë sa i përket reformave për anëtarësim në BE, vleërson analisti nga Shqipëria, Ergys Mërtiri në emisionin ‘Enter’ në TV SHENJA, duke shtuar se projekti i një Maqedonie evropiane duhet të shkojë drejt integrimit të të gjitha grupeve etnike, sidomos integrimit të shqiptarëve si një grup etnik shtetformues.
“Shqiptarët kanë shumë për të bërë në këtë drejtim sepse është në detyrimin e këtij shteti që t’ju krijojë hapësirat e duhura dhe të respektojë të drejtat të cilat ata i kanë dhe pa të cilat Maqedonia e Veriut nuk mund të shkojë në Evropë. Në këtë aspekt unë mendoj se politika shqiptare ka dështuar gjithë këto vite sepse nuk ka mundur dot të imponohet për të kërkuar atë që i takon”, tha Mërtiri.