Mesazhi i Ramës pak para protestës

Në ditën e protestës së paralajmëruar nga Partisë Demokratike, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar një mesazh për të inkurajuar policinë.

“Shumë është bërë. Ende më shumë mbetet për t’u bërë. Por edhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot”, shkruan kryeministri në Facebook në një postim që shoqërohet me foton e një efektivje të forcave të rendit.

Policia nuk dha leje një ditë më parë për protestën e opozitës në disa qytete, ku priten që për 1 orë të bllokohen rrugët, duke e quajtur cënim të rendit dhe sigurisë. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mos i bashkohen protestës, duke paralajmëruar se do të përballen me ligjin. PD e quajti kërcënim të qytetarëve dhe i kërkoi policisë të mos bëhet vegël e pushtetit.

 

Kryeministri Rama, duke komentuar protestën, tha se opozita kërkon të rikthejë vitin 1997. Postimi i sotëm vjen në këtë kontekst, si inkurajim për forcat e rendit dhe provokim për opozitën.