Babai që vrau foshnjën e porsalindur në Viti, të cilën të martën ia la nën përkujdesje e ëma, është identifikuar me emrin Xhezmi Kosumi dhe është nga fshati Malinë, i cili gjendet në Karadakun e Shkupit në Maqedoni.
Xhezmi Kosumi, babai monstër, 60 vjeçar, që dyshohet se vrau foshnjën e porsalindur, sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Express, nuk e ka pranuar që fëmija i porsalindur është i tij.
Policia e Kosovës ka njoftuar se fëmija është hedhur në një përroskë afër shtëpisë së vrasësit në Viti dhe gjithashtu ka njoftuar se rasti ka ndodhur pasi e ëma e kishte lënë foshnjën nën përkujdesje të babait, e që më pas ai e ka mbytur.
Gazeta Express ka vizituar sot shtëpinë ku ndodhi krimi, dhe sipas informacioneve të marra, Xhezmi Kosumi ka katër fëmijë, dy djem me gruan e tij të parë, të cilët janë të rritur, dhe dy të tjerë me gruan Zejnije Sylejmani, 40 vjeçare (një djalë të moshës 5 vjeçare dhe një vajzë të moshës 6 vjeçare).
Vëllai i Xhezmi Kosumit, Xhevat Kosumi ka thënë se gruaja e vëllait të tij, e identifikuar me emrin Zejnije Sylejmani “ka qenë me sëmundje mendore”.
Policia dje pas krimit, së bashku me ambulancën, trupin e foshnjës së vdekur e kanë gjetur të mbështjellë me batanije në përroin e fshatit Letnicë të Vitisë.