Mësuesi që vrau Miladin Popoviqin para 73 viteve

Tri ditë pas shpalljes së gjendjes ushtarake në Kosovë, mësuesi nga Gjakova, Haki Taha më 13 mars 1945 në Prishtinë, ka vrarë Miladin Popoviçin, atëherë sekretar i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit dhe njeriu numër një i pushtetit politik në Kosovë.

Hakiu shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Shkollën fillore “Kosova” në Krumë të Hasit në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër e Shkollën Normale në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shinavlash të Shqipërisë.

Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje edhe Haki Taha, ku, bashkë me shokët e vet, Hysni Zajmin, Fadil Hoxhën, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gazinë etj., gjatë verës, organizoi kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe.

Aty edhe ngjalli ndër të rinjtë ndjenjat patriotike dhe frymën e atdhedashurisë. Ndonëse antifashist për nga bindja, gjatë tërë kohës së luftës, nuk iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare për arsye se ishte “nacionalist i madh”, si tha në rastin që përmendëm Fadil Hoxha, dhe – për shkak të mosbesimit ndaj bashkëpunimit me serbët e malazeztë. Por, as nuk u hodh në luftë të drejtpërdrejtë kundër kësaj Lëvizjeje. Kështu, gjatë tërë kohës së luftës mbeti vetëm mësues, pa hyrë në shërbim të askujt.

Mirëpo, si mësues ishte shumë i dashur nga nxënësit dhe shumë i nderuar nga populli. Në vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar, Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata që i ogranizoi të rinjtë e Gjakovës që, me flamur kombëtar, pa shenjat fashiste të “liktorit”, t’i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, si kishte vendosur qeveria e tij. Fjalën me këtë kërkesë të të rinjve gjakovarë, të drejtuar kryeministrit Mustafa Kruja, që e mbajti Vehap Shita, atëherë nxënës i Gjimnazit të Prishtinës, e kishte inicuar dhe mundësuar pikërisht Haki Taha, atëherë mësues në Gjakovë.

E pas kësaj vizite të kryeministrit Mustafa Kruja, pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, u hap edhe dega e Shkollës Normale me drejtor Zekeria Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare.

Mirëpo, Haki Taha, edhe atëherë shëndetlig, së shpejti u sëmur rëndë dhe mbeti i shtrirë në shtrat pothuaj deri në ditët kur mori rrugën për në Prishtinë, ku edhe e gjeti vdekja në mars të vitit 1945.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme