Meta falënderon Papën që në meshën e së dielës u lut për Shqipërinë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka shkruar letër të Shenjtë, Papa Françesku, duke i shprehur atij nderin e veçantë dhe mirënjohjen e thellë në emër të popullit shqiptar për mesazhin e tij gjatë Meshës së Shenjtë të ditës së diel dhe fjalët mbështetëse, solidarizuese e inkurajuese për popullin shqiptar dhe Shqipërinë e goditur së fundi nga moti i keq dhe përmbytjet e shkaktuara prej tij, përcjell Koha.net.

“Lutjet Tuaja Shenjtëri dhe vëmendja e kujdesi që Ju dhe Selia e Shenjtë vazhdoni të tregoni ndaj Shqipërisë, mua dhe popullin tim, na mbushin me shpresë e besim dhe forcë e kurajë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit dhe për të qëndruar më afër me njëri-tjetrin dhe familjeve, prindërve dhe fëmijëve të prekur nga pasojat e përmbytjeve”, ka shkruar Meta në mesazhin e tij.

“Ndaj me Ju, Ati i Shenjtë, mendimin se, të gjithë së bashku duhet të ndajmë më shumë përgjegjësi, të tregojmë vetëdije më të qartë e të kujdesemi me më shumë përkushtim ndaj Planetit Tonë të dashur, për të përballuar dhe luftuar fenomenin shqetësues të ndryshimeve klimatike, duke marrë vendime kurajoze të cilat, në të njëjtën kohë, do të luftojnë edhe varfërinë dhe do të ndihmojnë njeriun dhe shoqërinë njerëzore të zhvillohet dhe të begatojë më tej. Më lejoni t’Ju siguroj sërish Ati i Shenjtë se ne jemi shumë të lumtur që ngjarje të rëndësishme historike dhe shpirtërore botërore qëndrojnë në themelet e shëndosha të marrëdhënieve të veçanta institucionale mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë”, thuhet tutje në letrën e Metës, në cilën po ashtu ai i uron jetë të gjatë dhe shëndet Papës.

“Ju lutem, pranoni Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka përfunduar Meta letrën e tij.

© KOHA. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme