Ish-presidenti Ilir Meta i është drejtuar Gjykatës së Tiranës duke kundërshtuar vendimin e Prokurorisë së Tiranës për të mos nisur procedim penal ndaj punonjësve të paraburgimit 313. Meta ka ankimuar vendimin e organit të akuzës për mbylljen e verifikimeve lidhur me kallëzimin e tij, ku pretendonte shpërdorim detyre nga punonjës të institucionit të vuajtjes së dënimit, për mënyrën e trajtimit gjatë qëndrimit të tij në paraburgim dhe për kufizimin e komunikimeve.
Pas shqyrtimit të kallëzimit dhe kryerjes së verifikimeve, Prokuroria e Tiranës vendosi të mos ngarkojë me përgjegjësi penale asnjë person, duke arritur në përfundimin se nuk kishte elementë të mjaftueshëm për ndjekje penale.
Përmes ankimimit në gjykatë, ish-kreu i shtetit kërkon që vendimi i prokurorisë të rrëzohet dhe që gjykata të urdhërojë vijimin e hetimeve për çështjen e denoncuar prej tij. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Vjollca Sahiu, e cila do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e Prokurorisë së Tiranës apo do të urdhërojë kryerjen e hetimeve të mëtejshme.
The post Meta kundërshton mbylljen e hetimeve për punonjësit e burgut 313, kërkon në gjykatë rifillimin e çështjes appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



