Ish presidenti Ilir Meta paditi sot pranë organeve të drejtësisë Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit për 6 shkelje ligjore, që sipas tij, kanë bërë anëtarët e këtij institucioni, duke ia përmendur emrin në shkresat drejtuar Kuvendit, si i lidhur me Sigurimin e Shtetit gjatë viteve të diktaturës komuniste.
Zoti Meta ka mohuar lidhjet e tij me Sigurimin e Shtetit, duke theksuar se ka marrë çertifikata të pastërtisë nga komisioniet shtetërore dhe nga Autoriteti i Dosjeve.
Por ky i fundit deklaroi se akuzat e zotit Meta janë të pabazuara e dashakeqe ndaj institucionit dhe fyese për dinjitetin e secilit prej anëtarëve.
Ish presidenti Ilir Meta dorëzoi sot një padi penale kundër Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit. Ai theksoi se anëtarët e Autoritetit kanë shkelur 6 nene të Kodit Penal, dhe i akuzon për shpërdorim detyre, falsifikim i dokumenteve shtetërore, falsifikim kompjuterik, falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve, përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete.
Mbi 30 vjet protagonizëm në skenën politike dhe qeverisëse të vendit, Ilir Meta, pas 5 vjetësh në detyrën e presidentit të republikës, i sapokthyer në krye të LSI, ndërroi emrin e saj në Partia e Lirisë.
Por të nesërmen e këtij hapi, ai u përmend në shkresat, që Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i dërgoi parlamentit.
Në to thuhet se emri i ish presidentit Meta figuron në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit.
Por zoti Meta shtoi se ka marrë më herët çertifikatën e pastërtisë së figurës nga dy komisionet e mëparshme të ngritura në vitet ’90, si dhe nga vet Autoriteti i Dosjeve në prill të vitit 2017, dhe persona të tillë, sipas ligjit, nuk verifikohen më.
Zoti Meta tha se shkeljet ligjore me publikimin e dokumentave sekrete, të padeklasifikuara dhe të falsifikuara nga Autoriteti i Dosjeve dhe nga Kuvendi janë bërë me motivim politik për t’i shërbyer kryeministrit Rama në goditjen e opozitës dhe mbulimin e skandaleve të korrupsionit
“Autoriteti ka marrë shtatë vendime brenda një dite, kur në një procedurë normale do t’i duheshin 6 muaj. Ai ka hetuar në shkelje të ligjit ndaj një zyrtari, që ka disa certifikata pastërtie, pa asnjë kërkesë zyrtare, por i urdhëruar nga një email anonym” – tha zoti Meta.
Por Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit deklaroi se akuzat e zotit Meta janë të pabazuara e dashakeqe ndaj institucionit dhe fyese për dinjitetin e secilit prej anëtarëve.
“Autoriteti është i hapur të bashkëpunojë me institucionet ligjzbatuese e të gjithë të interesuarit”, – thuhet në deklaratën e sotme pas padisë së zotit Meta.
Ky institucion siguroi për integritet, përgjegjësi profesionale dhe jashtë ndikimit politik gjatë veprimtarisë së tij, si dhe për ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për t’u informuar mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me transparencë, mbrojtje të personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar.
“Çdo veprimtari e Autoritetit është e bazuar në akte ligjore dhe nënligjore, në vendimmarrje kolegjiale, e shoqëruar me dokumentacion të protokolluar, lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë. Autoriteti siguron qytetarët shqiptarë për standardin maksimal të sigurisë së dokumentacionit të administruar prej tij” – thuhet në deklaratë.
Autoriteti i Dosjeve njoftoi në fund të korrikut Kuvendin se ka ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e ish presidentit, në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti i kërkoi Kuvendit disa ndryshime ligjore, për të hequr nenin, që kush ka çertifikatë pastërtie nga komisionet e mëparshme, të mund të verifikohet sërish, si dhe verifikim të detyrueshëm për lidhjet me ish Sigurimin të çdo politikani kandidat në zgjedhje, si dhe t’u ndalohet pjesëmarrja në garë, nëse rezultojnë të kenë bashkëpunuar me strukturat e diktaturës.
Grupi i deputetëve socialistë i shndërroi menjëherë në amendamente ligjore propozimet e Autoritetit dhe shqyrtimi i tyre pritet të nisë menjëherë me rifillimin e punës së Kuvendit.
Ndërsa opozita ka propozuar edhe ajo me amendamente ligjore hapjen dhe deklasifikimin e të gjithë dosjeve të Sigurimit të Shtetit për të nxjerrë në dritë krimet e këtij institucioni famëkeq të diktaturës.