Në shenjë të 70 vjetorit të lindjes dhe 50 vjetorit të krijimtarisë letrare të Kim Mehmetit
METAFORA E FSHATIT SI FRYMËZIM UNIVERSAL
Kim Mehmeti u lind në Gërçec në vitin 1955, në një fshat në ballë të kodrinës perëndimore të Shkupit. Me shkollim dhe profesion të gjeometrit, bëri edhe punë krahu me ndërtimtarë, nëpër Ballkan dhe Lindjen e mesme. Është tregimtar, romancier, eseist, publicist, përkthyes, me rreth 10 vëllime tregimesh, me po aq romane dhe disa libra me ese dhe publicistikë.
Ndërthurje e perspektivave të rrëfimit
Krijimtarinë e vet e filloi si tregimtar, në fund të viteve shtatëdhjetë dhe fillimin e viteve tetëdhjetë të shekullit njëzet. Stili krijues i këtij autori i artikuluar përmes tregimit, është i pranishëm si natyrë krijuese edhe tek romanet, jo vetëm për shkak se i ka ushtruar të dyja zhanret paralelisht.
Realizmi i tij me fundament klasik dhe me prirje moderne, me premisa magjike, me rrjedhë narrative horizontale e të qetë, me thyerje përmes ndërhyrjeve të tërthorta, sidomos me atë të kategorisë kohë, është natyrë dalluese e prozës së Kimit. Fillin narrativ fabular në romanet e tij e përcjellin rrjedha të shumta ndërhyrjesh dhe devijimesh, shpesh përmes rrëfimit të brendshëm të zgjatur dhe pa asnjë ndërprerje, shtrirë në dhjeta faqe, që krijon përshtypjen e drejtpërdrejtshmërisë dhe ndikon në ruajtjen e tërësisë tematike.
Në serinë e romaneve të fshatit, që është herë fshati pa varre, herë fshati pa ëndrra, herë fshati i magjive dhe Fatkës emblematike, që me magjitë e veta provon, rreket të mbajë gjallë ekzistencën e banorëve, Kimi do të bëjë variacione nga më shumë perspektiva narrative, siç ndodh në romanet “Ngjyrat e kësaj toke” dhe “Atje dhe dikur”.
Lënda në prozën tregimtare dhe romanore të Kim Mehmetit ushqehet nga vendlindja; frymëzimi krijues nxitet sa nga aktualiteti, sa nga historia, sa nga mite e legjenda të fshatit emërtuar me toponimin Suk; një makondo e Kimit mes popullatës shqiptare, i cili nga lartësia e kodrës në perëndim të Shkupit, dhe nga lartësia kodrinore, ende fëmijë, do ta bartë këtë perceptim për vendlindjen: si nga një kullë e lartë, me pamje të privilegjuar e sheh qytetin e shtrirë rrëzë kodre, ndër këmbët e saj. Lëvizjet narrative nëpër këtë histori imagjinare do të shtrihen në gjithë shekullin njëzet, shpesh edhe përtej; bosht kryesor frymëzimi është rropatja e sukianëve për ta ruajtur qenien fizike përballë sundimit shtypës të pushtuesve, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX; dhuna gjithnjë lidhet me qytetin dhe nga qyteti- sinonim i pushtetit, me që nga andej vijnë patrullat dhe pandurët, ekspeditat ndëshkuese, frika dhe burgjet, por gjithashtu andej sikur vezullon një magji tërheqëse që lidhet me praninë antike të etnisë në themelet e qytetit. Raporti me qytetin-pushtet i bën të thyeshëm banorët e kësaj hapësire, e zbut dhe e zvetënon burrërinë sidomos, prandaj në të gjithë romanet e Kim Mehmetit, gratë janë ato që e ruajnë dinjitetin dhe krenarinë e fshatit, ekzistencën dhe rezistimin.
Raportet e fshatit me qytetin, shtrirë gjatë shekullit njëzet rrjedhin brenda dy shtyllave narrative, njëra si përditshmëri konfliktuoze, përjashtuese dhe armiqësore dhe, tjetra si magji ëndërrimtare për praninë e rrënjëve antike të etnisë; bëmat e banorëve të kësaj oaze të shkëputur nga shtrirja e hapësirës shqiptare, do të jenë burim dhe frymëzim krijues në pesëdhjetë vite krijimtarie të Kim Mehmetit. Peizazhi i këtij fshati, ngarkuar me këto shtresime, del konfuz dhe kaotik; të shpeshta janë veprimet e hovshme të banorëve, me hove vrundujsh emocionalë e të paartikuluar, gjithnjë në kërkim të balancimit të brendshëm, lëvizjet e tilla pa vizion të qartë, prandaj do të jenë humbje dëshpëruese e energjisë.
Ngarkuar me këtë lëndë frymëzimi, letërsia e Kim Mehmetit, cikli romanor i tij, vjen sagë narrative e lidhur me fatin shekullor të fshatrave shqiptare të rrethinave të Shkupit, të fshatit metaforik Suk. Fshati është rreth i mbyllur; funksionon si një akuarium, në të cilin, ngjashëm me peshqit, banorët shpesh marrin hov dhe përplasen sa me murin sa ndër vete; në vizionin e përgjithshëm autori rreh të gjejë rrënjët e konfuzionit, shtresuar në botën shpirtërore dhe mendore të pamundësisë për të artikuluar energjinë dhe për të arritur drejtpeshim. Ky objektiv vizioni degëzohet në përqasje, ballafaqime, sfida, narracione të shumëfishta, prerje kohore, thyerjesh dhe përmbysjesh historike, me diskurs sa tekstor po aq edhe kontekstor.
Tek romani “Vitet e urithit”, më përfaqësuesi, autori do të observojë ngjyrat e kësaj toke të shtrirë në gjithë shekullin XX. Bosht kryesor do të jenë ngjarjet më të rëndësishme historike, të përjetuara edhe në këtë hapësirë shqiptare, siç janë Lufta e Parë dhe e Dytë, lufta dhe turbulenca dramatike dhe tragjike lokale, ikja dhe behja e pushtuesve, e gjithë kjo e përshkuar nga një përbërës të rrëfimit romanor, siç janë urithët. Është kafsha që gërryen nëntokë dhe vë në lëvizje të gjithë hapësirën e botës të fshatrave. Urithi do të marrë role herë të provokuesit, herë të denoncuesit, të përgjuesit, gjithnjë duke e ndrydhur dhe duke e nënshtruar burrërinë e fshatit. Është koha kur lëvizin kryq e tërthor urithët në hapësirë, që shfaqen ku e pret dhe ku s’e pret; është atmosferë karakteristike e fuqishme në paraqitjen e një kohe të dhunshme, sidomos gjatë viteve të shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve përgjithësisht, e sidomos nga fshatrat shqiptare të rrethinave të Shkupit, koha e viteve të dhunës ndaj simboleve kombëtare, flamurit, gjuhës, ndaj toponimeve me origjinë shqipe, koha e ndalimit të pagëzimit të fëmijëve me emra shqip, e ndalimit të këngëve të diferencuara si nacionaliste, e prishjes së mureve rreth oborreve shqiptare, e viteve të dhunës ndaj çdo prirjeje dhe synim i popullatës shqiptare për shkollim, për praninë e gjuhës, për trajtim dinjitoz, gjithnjë të gërryer në nën-tokën e urithëve.
Në udhën afro 50 vjeçare krijimtarie letrare, në prozën e Kim Mehmetit do të ravijëzohen qartë disa shtylla tematike mbi të cilat qëndron ajo: motivi tematik i shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga gjithë hapësira etnike, e veçmas nga fshatrat pranë Shkupit për në Turqi, qoftë si motiv i drejtpërdrejtë, qoftë si frymë e tërthortë, është i pranishëm gjithandej; motivi i botës së Fshatit emblematik që ndjehet si pa rrënjë, si jetim, pa atdhe; rrjedha tematike e vargut të represalieve sidomos gjatë kohës së ish-Jugosllavisë; ruajtja e dinjitetit dhe burrërisë së Fshatit nga gratë, përkatësisht motivi i zhburrërimit të burrave që, për të mbijetuar u duhet të çajnë korridoreve e zyrave poshtëruese; shtrati narrativ që lidh të gjithë hapësirën arbërore, por edhe atë të refugjatëve nëpër botë; mëtimi drejt rrënjëve të gjakut, fisit, dhe që autori, e gjen, tek familja e vet me prejardhje nga shqiptarët ortodoks të Mavrovës; veprimi i nëntokës kundër qenies dhe ekzistencës së fshatit përmes vërshimit të urithëve, një metaforë e fuqishme e regrutimit të denoncuesve, bashkëpunëtorëve me dhunuesin, madje dhe vatrën e Fshatit, ku përplasen dhe përthyhen të gjitha lëvizjet e dukshme dhe të fshehta, të gjitha ëndrrat, misteret, magjitë, mëkatet, ndëshkimet, vetë-ndëshkimet, do ta vërshojnë urithët. Romani mëton të rri-sjellë në vëmendje udhën e deriatëhershme krijuese, të shtrirë në panoramën e krejt shekullit njëzet, duke bërë bashkë personazhe të kësaj dhe asaj bote, realitet dhe ëndërr, urithë dhe shqiponja, engjëll dhe djaj, mbi-tokën dhe nën-tokën e fshatit metaforë, gjithë në frymën e shkollave të mëdha narrative, prusiane dhe latino-amerikane, brenda të cilave autori ndjehet mirë:
“… fshatin e vërshuan urithë që lëvronin nëntokën duke i nxjerrë mbi sipërfaqe bimët e posa mbjellura nëpër ara dhe kopshte. As magjitë dhe lëngjet helmuese të Fatkës nuk ndihmonin që ato kafshë nëntokësore të braktisnin dheun e butë nëpër kopshtet dhe arat e fshatit tonë…Numri i madh i urithëve kishte zgjuar instinktin e gjuetarit te shqiponjat, të cilat, posa gdhinte mëngjesi fluturonin mbi fshatin tonë, si të ardhura nga të gjitha shkrepat e maleve përreth. Fëmijët e fshatit ndiqnin fluturimin e tyre; nxirrnin klithma gëzimi kur ato në fluturim bartnin në kthetrat e veta urithë që cicëronin si zogj dhe përpëliteshin të trembur nga lartësitë… Ndodhte që ndonjë urith t’u shpëtojë kthetrave të mprehta të shqiponjave dhe të përplaset mbi tokë, por shpejt, ndonjë nga shpendët e tjerë vërsulej mbi të dhe e bënte aheng të vetin…”.
Bota shpirtërore e grave në prozën e Kim Mehmetit është e kudo-pranishme; personazhi emblematik me emrin Fata, është sa simbol mbrojtës i fshatit, sa magjistare-mjekuese e plagëve trupore të banorëve të fshatit, sa ato shpirtërore, është simbol që mbron dinjitetin dhe krenarinë e fshatit, duke u shuar dhe ringjallur feniks. Gratë janë themeli i vatrës, i familjes, ato duke duruar, duke heshtur dhe duke u sakrifikuar e mbajnë gjallë ekzistencën, qenien e fshatit, në heshtje e mirëkuptojnë përuljen, nënshtrimin përballë dhunës së pushtetit për mbijetesën e burrave, ato dinë ta mbajnë ndezur shpresën dhe dashurinë, njësoj si dhembjen dhe pikëllimin.
Shenjë e parë e qëndresës, rezistencës dhe traditës jetësore të familjes shqiptare ndër shekuj, vatra e të gjitha përjetimeve, e gëzimit të lindjes dhe pikëllimit të vdekjeve, është qoshku, dollapi, ballkoni i kullës në kujtimin e fëmijës shkrimtar, është oborri, pusi i kullës, është lumi, mali, zogu, është gjarpri i shtëpisë, hija e tempullit të shenjtë dhe mallkim i braktisësit të saj. Në romanin me titullin “Kulla me dy kate”, është personazh, kryepersonazh; por para të gjithash dhe, mbi të gjitha është mall e dhimbje përmasash planetare të shqiptarëve arratisur Anadollit dhe mbarë Turqisë. Shqetësim qendror në prozën e Kimit është edhe zvetënimi i qëndresës së popullatës së Fshatit përballë pushtetit, sidomos ajo e meshkujve, si edhe gjakimi për të gjetur rrënjët e gjakut dhe fisit të Fshatit, që pas hulumtimeve ato do të dalin të jenë nga rrënjët shqiptare ortodokse nga Reka mbi Mavrovë; do të fillojë odisejada për t’i zhvarrosur dhe rivarrosur te parët e tyre në gjirin e stërgjyshërve rekanë.
Pos vatër ndëshkuese për Fshatin, Shkupi tërheq me magjinë e rrënjëve dardane; do të mbahet mend Shkupi i Kim Mehmetit edhe përmes romanit “Lypsiqarët”, ata të përkatësisë shqiptare, që formojnë një rrjet nëntokësor komunikimi, gjithë në shërbim të mbijetesës dhe rezistencës së etnisë, gjatë dhunës e sidomos gjatë ditëve dhe viteve të luftës. Në një tregim me titull “Shpella e fjalorit”, Kimi bën fjalë për një legjendë, nga koha e car Dushanit, i cili arbërve të qytetit ua kishte ndaluar ta flasin gjuhën e vet. Ata, kishin sajuar një galeri nën Malin e Krojeve (Vodno) në jugperëndim të qytetit duke e mbushur atë me breshka, në zhguajt e të cilëve kishin shkruar fjalë dardane, në fshehtësi, për t’ua lënë pasardhësve. Natyra krijuese e Kim Mehmetit është ajo e tregimtarit; edhe tek romanet ai e shpërfaq këtë prirje – shumë kapituj në romanet e tij, qëndrojnë më vete, falë edhe strukturës fabulare të hapur, pa ndërlidhje të konstruktuara me çdo kusht. Jo rastësisht Kimi është autor i dhjetë vëllimeve me tregime, aq sa edhe i romaneve, tematika ndërsa ushqehet nga i njëjti truall – nga fshatrat shqiptare përreth Shkupit. Te tregimi “ Në xhepin e jelekut të gjyshes”, autori sjell thatësinë shpirtërore të njeriut : “… dikur edhe dhembja ka qenë e plotë, e prekshme si një lëng i dendur, ngjitës, lumturia ka bartur erëmim dehës që e kanë ndjerë edhe tjerët rreth teje…”. Tregimi “ Shtëpia në fund të fshatit” flet për Odat, ato të burrave dhe “burrave”, ku gjatë një sprove del se ai që e ruan qëndresën dhe krenarinë e fshatit, është ai i nënçmuari, i fundit i fshatit. Ndërkaq tregimi “Mbledhësit e luleve të vyshkura” sjell një temë të rrallë në letërsi: frikën nga më therëset si ajo e krijuesit nga tharja, nga shterja e frymëzimit krijues, braktisja nga muza, apo vdekja e Fatkës që e ushqente me lëngjet magjike, me këtë rast, rrëfimtarin.
Përmasa kohë dhe hapësirë, përmasa metaforike e fshatit, si ngasës frymëzimi dhe rrëfimi janë përbërësit kryesorë të poetikës narrative të Kimit. Njohës i realizmit klasik, Kim Mehmeti do preferojë të jetë nxënës i rrjedhës narrative të brendshme kombinuar me realizmin magjik. Prirja drejt monologut të brendshëm, përsiatjeve shpesh në prag të esesë, ngasja për të sfiduar botën reale nga kënde sureale, vënia në shërbim e së vërtetës së fantazisë, të magjisë, të mitit, mistereve dhe tabuve, janë në funksion të vizionit krijues; koha dhe hapësira në këtë shtrat narrativ, hyjnë dhe dalin nga njëri-tjetri, natyrshëm; njësoj edhe realja dhe jorealja, gjithë duke e bërë të besueshme rrjedhën e rrëfimit.