“Mëvetësimi i shkollës”, banorët e Moranës paralajmërojnë bllokim rrugësh dhe protesta para MASH-it

Gazetar: Avni Tahiri

Jo vetëm që nuk heqin dorë nga bojkoti i mësimit, por banorët e Moranës paralajmërojnë bllokim rrugësh dhe protesta para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH). Refuzimi i kërkesës së tyre për pavarësimin e shkollës, sipas banorëve është i padrejtë dhe diskriminues. Ankohen për mungesë investimesh.

“Mbi 450 nxënës të Shkollës Fillore “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Shkupit, edhe pas tre javësh nuk janë në bankat e tyre shkollore. Prindërit edhe sot qëndrojnë para hyrjes së shkollës për të kërkuar të drejtën e mëvetësimit të kësaj shkolle“, raporton Avni Tahiri, gazetar.

Pas tre javësh bojkot, edhe sot në shkollë ishin vetëm arsimtarët, pa nxënësit e tyre.

Prindërit thonë se janë të zhgënjyer nga përgjigjja e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska e cila disa ditë më parë tha se kërkesa për ndarjen e objektit nga shkolla qendrore nuk mban dhe nuk ka asnjë arsye për t’u plotësuar. Madje, Janevska apeloi që nxënësit sa më shpejtë të kthehen në mësim. Por në terren gjendja thotë të kundërtën. Prindërit paralajmërojnë edhe protestë para Ministrisë së Arsimit deri sa kjo çështje të merr epilog pozitiv.

“Kjo deklaratë është në kundërshtim të plotë me procedurat e ndjekura deri më tani nga vetë Ministria e Arsimit. Para rreth një viti, Ministria e Arsimit përmes Inspektoratit të Arsimit ka shqyrtuar kushtet e shkollës sonë dhe ka konstatuar se ajo i plotëson të gjitha kriteret për t’u ndarë nga shkolla qendrore. Nga e hëna do të lajmërojmë për masa edhe më rigoroze, me bllokim të rrugëve në qoftë se nuk merren masa për këtë çështje, do të bllokojmë rrugë dhe protesta para Ministrisë së Arsimit dhe të Financave”, tha Amir Durak, prind.

Prindërit thonë se arsyeja kryesore për bojkotit të mësimit është mos investimi në këtë shkollë nga ana e komunës së Studeniçanit. Ata thonë se shkolla është rinovuar me iniciativë të banorëve.

“Jam prind i një nxënësi të kësaj shkolle, duam që sa më shpejtë të ndahet nga shkolla qendrore pasi i plotëson kushtet. Këtu kemi bërë vetë investim, rinovimi i shkollës dhe kushtet që t’i plotësoje e që u deshtë t’i bëjë komuna dhe ministritë, janë bërë nga vetë fshatarët. Kushtet i plotëson por ku qëndron problemi nuk e dimë”, deklaroi një tjetër prind.

Ndryshe nga shkollat e tjera të vendit ku numri i nxënësve është në rënie, në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” të Moranës, numri i nxënësve është në rritje. Në këtë shkollë fillore mësojnë mbi 450 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën. Bojkoti i mësimit në këtë shkollë filloi nga data 7 tetor. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme