Kryeqytetasit sot po thithin ajër të ndotur. Indeksi i ndotjes së ajrit është 167 dhe është renditur i 14 në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Është matur një përqendrim prej 79 mikrogramë për metër kub të grimcave PM 2.5, që është shumë herë më i lartë se kufiri i sipërm i lejuar i vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti tha se tani më i dinë të gjithë shkaktarët e ndotjes së ajrit, të cilët më të shpeshtë janë industritë dhe amvisëritë që djegin dru jo adekuatë për ngrohje. Mexhiti theksoi se inspektorët janë në terren dhe për të gjithë ata që janë shkaktarë të ndotjes do të ju shqiptohet gjobë.
“Do të punojnë në mënyrë intensive, tani më qeveria ka ndërmarrë edhe masa, inspektorët tani më janë në terren, ka edhe dënime. Por ka nevojë që të rritet numri i inspektorëve, pasi është numri i vogël që të mund të shtrihen në të gjithë Maqedoninë”, tha Izet Mexhiti, Ministër i Ekologjisë. /Alsat.mk