Kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti i cili dy ditë më parë ishte i pranishëm në pritjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, tha se organizatorët nuk mbajnë përgjegjësi për flamujt me harta të Shqipërisë së madhe. Mexhiti komentoi edhe reagimet për emërimin e rrugës “Adem Demaçi” duke thënë se figura e tij është vlerë evropiane.
“Duhet ta kenë të qartë se shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e kombit shqiptar dhe është shumë e natyrshme të bashkëpunojnë partitë politike dhe liderët politik mes vete, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni” deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
E shoh se me çdo çmim doni të gjeni diçka. Ai ishte miting prej 10 mijë ose 5 mijë njerëz. Çdo ditë na ndodh nëpër stadiume, edhe te shqiptarët edhe te maqedonasit, unë shoh dhe harta të Maqedonisë së madhe… Institucionalisht ishim në Komunën e Tetovës ku para objektit të komunës kishte edhe flamur maqedonas, edhe shqiptar, edhe flamur të komunës. Nëse duam të problematizojmë me çdo rast, është tjetër gjë. Atë flamur nuk e kemi valëvitur as unë dhe as Kurti personalisht. Mendoj se ka përfunduar koha që shqiptarët të mbahen me presion dhe me dënime. Edhe për Demaçin është budallëk i vërtetë sepse ai ka vlerë evropiane, ka çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian.” /Alsat.mk