Gazetar: Zekirija Haxhiu
Edhe pas vizitës së kreut të Këshillit Evropian Antonio Koshta në Shkup, nuk ka lëvizje qëndrimesh nga palët. Derisa kryeministri Hristijan Mickoski nuk lëshon pe në kërkesat e tij, të njëjtën po e bën edhe Bashkimi Evropian. Reformat dhe përkushtimi i Maqedonisë së Veriut vlerësohen nga BE-ja por nuk mjaftojnë. Kushti mbetet i qartë, pa ndryshime kushtetuese, nuk ka negociata.
“Siç thash edhe para një viti. Ajo që është dakorduar, është dakorduar. Duhet të zbatohet ajo që është dakorduar dhe asgjë më tepër. Kjo do të thotë se ajo që është dakorduar në vitin 2022 duhet të zbatohet dhe asgjë më tepër nga kjo. Bëhet fjalë për proces normal të zgjerimit, të hapen dhe mbyllen kapituj të ndryshëm dhe klastere të ndryshme”, tha Antonio Koshta, kryetar i Këshillit Evropian.
Mickoski kërkon që të vlerësohet puna që është bërë për agjendën reformuese dhe kërkon qartësi e besim. Thotë se rruga evropiane nuk është një sprint por një maratonë e cila duhet të fitohet jo me presion por me mençuri, me plan dhe vizion.
“Ne me z.Koshta kemi ndërtuar me të vërtetë marrëdhënie të sinqerta por kjo nuk do të thotë se gjithnjë pajtohemi. Një nga temat për të cilat nuk pajtohemi është pikërisht kjo. Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm. Me fjalë të tjera, nuk ka çmim i cili do të na detyrojë që të hyjmë në një aventurë duke mos e ditur se ajo aventurë do të ketë një fund të qartë”, u përgjigj Hristijan Mickoski, kryeministër.
Partitë opozitare pajtohen me Koshtën dhe i bëjnë me dije Qeverisë se ky është shansi i fundit i shtetit që të ecë përpara drejt inkuadrimit evropian. Kreu i social demokratëve Venko Filipçe shprehet se Mickoski qëllimisht nuk dëshiron BE-në pasi nuk do të mundet më të urdhërojë prokurorët se kë të hetojnë. Kërkon urgjentisht referendum që qytetarët vet të vendosin nëse duan të ardhme evropiane.
“Nuk ka garanca e as kushte të tjera shtesë. Ekzistojnë vetëm ndryshimet kushtetuese. Gjithçka tjetër është shpikje e një fushate. Para nesh është një shans historik. Nëse e lëshojmë do të kalojë momenti dhe do të mbyllet kjo derë që e hap Bashkimi Evropian, do të mbetemi jashtë BE-së si zorrë qore e Ballkanit në Evropë, kush e di edhe sa vite e dekada jashtë”, tha kreu i socialdemokratëve, Venko Filipçe.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se me qëndrimet e Kostas, Brukseli ia rrëzoi Qeverisë të gjitha arsyetimet për konsum të brendshëm.
“Deklarata e Costës e bëri të qartë se nuk ka rrugë tjetër për hapjen reale të negociatave me Bashkimin Evropian përveç ndryshimeve kushtetuese të dakorduara. Prandaj, heshtja e VLEN-it sot nuk është kujdes politik. Është pranim i pafuqisë”, shprehen nga ASH.
Nga VLEN përshëndetën vizitën e Koshtës dhe e vlerësojnë atë si inkurajim për të vazhduar me përkushtim reformat dhe proceset që e afrojnë vendin me familjen evropiane. Por, ata nuk përmendin aspak kërkesën për ndryshime kushtuese.
Së fundmi kancelari gjerman Fridrih Merc bëri thirrje për zgjidhje inovative për përshpejtim të procesit të zgjerimit por për të njëjtën, Koshta tha se për momentin në Ballkanin Perëndimor nuk ka nevojë për kushte speciale. Kreu i Këshillit Evropian do të qëndrojë në Tivat, për Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor. /Alsat.mk



