Mickoski pranon ftesën për takim liderësh, kërkon të flitet për heqjen e qeverisë teknike

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja pranon ftesën për takimin e liderëve të partive politike për të hënën. Kreu i saj Hristijan Mickoski, në këtë takim do të këmbëngulë për heqjen e qeverisë teknike kurse pret që përfundimisht të caktohet dhe data e zgjedhjeve.

“Nga media mësuam se kryeministri Kovaçevski për të hënën ka caktuar takimin e liderëve që ka të bëjë me zgjedhjet. Një komunikim i tillë përmes mediave për çështje kaq të rëndësishme është zgjedhja e tij. Është sigurisht e pranueshme një takim lidershipi për të hënën, në të cilin presim të diskutojmë përfundimisht për caktimin e datës së zgjedhjeve, pranimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, si dhe ofertën për shfuqizimin e qeverisë teknike, në këmbim të mospasjes kryeministër nga BDI-ja”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE-ja kërkoi takimi të mbahet më herët të hënën për shkak të angazhimeve të Mickoskit por LSDM-ja është e vendosur që takimi të jetë në mesditë. Pa u dërguar akoma ftesa, Kovaçevski njoftoi kolegët e tij liderë për takimin gjatë konferencës për media me shefin e diplomacisë së BE-së Zhozef Borell.

“Do të dërgoj ftesë për takim liderësh deri te të gjithë kryetarët e partive parlamentare si dhe deri te kreu i Kuvendit. Takimi do të jetë të hënën dhe në të do të diskutojmë për euro integrimin e vendit, do të flasim për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare si dhe për ndryshimet në Kodin zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Një takim liderësh pritet prej kohësh, meqë tashmë është deklaruar nga shumë prej palëve se 8 maji është datë e pranueshme për zgjedhje të dyfishta, presidenciale dhe parlamentare. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme