Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Mickoski e ministri i Trasnportit Nikollovski prenë shiritin e kuq për rrugën e shpejtë Stracin – Kriva Pallankë, e cila ka filluar të ndërtohet që prej majit të 2018-të. Rruga, e cila është pjesë e Korridorit tetë ka gjatësi të përgjithshme prej 25,5 kilometra dhe sipas autoriteteve qeveritare do ta shkurtojë kohëzgjatjen e udhëtimit në relacionet Stracin – Kriva Pallankë dhe Stracin Kumanovë për nga 20 minuta.
Lëshimi i kësaj rruge përplasi pushtetin me opozitën, për atë se kush është meritor. Një delegacion i LSDM-së, i kryesuar nga kryetari i Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, ish ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski dhe ish zëvendëskryeministri Lupço Nikollovski, pak para fillimit të ceremonisë zyrtare, ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën e lajmëruan se rruga Stracin Kriva-Pallankë është mbaruar dhe se 90% e projektit është punuar në kohën e LSDM-së.
“Po të mos ishin bllokadat nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ky projekt do të përfundonte që në vitin 2024. Për fat të keq vetëm për shkak të interesave personale politike të deputetëve nga VMRO-DPMNE, atëherë e bllokuan projektin nëpërmjet Komisionit për Financim dhe Buxhet i cili me muaj e frenonte propozimin për Ligjin për Grand në vlerë prej 14 milionë euro”, deklaroi Sashko Mitovski, kryetar i Komunës së Kriva Pallankës.
Në anën tjetër, në ceremoninë zyrtare kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se rruga nuk është as e VMRO-DPMNE-së as e LSDM-së, por e qytetarëve.
“Kjo nuk është rrugë as e LSDM-së e as e VMRO-DPMNE-së e as e cilitdo tjetër opsioni politik. Kjo është rrugë e qytetarëve dhe kjo është rrugë që do të mbetet për qytetarët dhe ata janë që e shfrytëzojnë. Kredia që është marrë nga ana e institucioneve financiare do të kthehet nga paratë e qytetarëve, për atë nuk ka askush të drejtë ta përvetësojë dhe askush nuk ka të drejtë të thotë se kjo është rruga e tij. Kjo është rruga juaj, e qytetarëve dhe ta shfrytëzoni dhe qoftë për hajër”, tha Hrisitjan Mickoski, kryeministër.
Rruga e shpejtë Stracin – Kriva Pallankë gjithsej ka kushtuar afër 94 milionë euro, prej të cilave 80 milionë janë mjete nga Banka Botërore, ndërkaq të tjerat janë mjete të pakthyeshme në lartësi prej 13,5 milionë euro. /Alsat.mk