Gazetar: Fatlume Dervishi
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se në vend akoma nuk ka sundim të ligjit prandaj besimi i qytetarëve në këto institucione mbetet në nivel jashtëzakonisht të ulët. Baza e padrejtësive në sistemin gjyqësor, sipas tij janë dy zhvillime dhe të dyja tha se kanë prapavijë politike. Mickoski në debat në RTVM tha se aty hynë zgjedhja masive e gjykatësve në vitin 96 kur VMRO-DPMNE-ja nuk ka qenë në Kuvend, si dhe Prokuroria Speciale Publike.
“Për ta treguar karakterin e shpirtit të ligë janë ato bonuse të cilat për fat të keq edhe sot e kësaj dite kanë mbetur pa u zbardhur por kjo s’do të mbesë kështu. Të ndërlidhem me pritjet e mija për prokurorin publik. Ne si parti politike jemi viktima të rasteve të tilla. Edhe sot e kësaj dite ndiqen raste të montuara politike. Besoni ose jo, ne kemi pronë të bllokuar dhe unë sot dëgjoj se dikush neve na fajëson për instalim politik në gjyqësor, kur e di saktë se si këto raste si me magji u bënë raste në kohën e PSP-së”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Mickoski kërkoi zbardhje të të gjithë rasteve të ndjekjes politike nga Prokuroria Speciale Publike. Tha se për këto dhe rezultate të tjera në drejtësi, pret nga kryeprokurori i ri të cilit i jep hapësirë 100 ditore nga fillimi i mandatit.
“Ja le të kalojnë 100 ditë që gjithkush duhet t’i ketë për ambientim, të njihet me rrethin. Pres që gjithë këto gjëra për të cilat fola të zbardhen dhe t’i jepen publikut. Atëherë opinion do të fillojë të mendojë për ndryshim të perceptimit sepse nëse mbesin pa zbardhur frikësohem se situate do të jetë edhe më e keqe dhe besimin ndaj këtyre institucioneve edhe më i ulët”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria po përdor të gjitha mekanizmat ligjorë për të luftuar korrupsionin, por theksoi se roli i saj përfundon me hetimin dhe sigurimin e provave, ndërsa vendimi përfundimtar është në duart e gjyqësorit./Alsat.mk.
The post Mickoski s’është i kënaqur me situatën në gjyqësor, kërkon rezultate nga kryeprokurori appeared first on Alsat.



