Mijëra kompani nuk kanë paguar ose i kanë vonuar rrogat për muajin shkurt

Kriza politike ka goditur edhe pagesën e rregullt të rrogave. Është rritur numri i kompanive të cilat nuk munden në kohë t’i paguajnë obligimet ndaj të punësuarve. Sipas të dhënave që Alsat M i mori nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, vetëm për 1 muaj përkatësisht nga janari deri në shkurt të këtij viti, 2000 kompani janë vonuar me pagesën e rrogave në afatin e paraparë me ligj. Në mënyrë shtesë, numri i kompanive që aspak nuk e kanë paguar rrogën e shkurtit është rritur për rreth 2000, krahasuar me janarin. Kjo do të thotë se gjithsej janë 3776 kompani që për 1 muaj e kanë humbur aftësinë në kohë të paguajnë rroga ose janë shuar. Sipas ekspertit Pavle Gacov, këto numra janë porosi e qartë se në ekonominë e vendit asgjë nuk shkon siç duhet.

Sigurisht se kjo do të thotë jo- likuiditet, pasi gjëja e parë që kompanitë duan ta bëjnë është t’i paguajnë tatimet dhe rrogat ndaj punonjësve të tyre. Jo- likuiditeti është virus. Ai shumë shpejtë i prek të gjithë që kanë lidhje me kompanitë që janë në gjendje të këtillë e që s’mund të paguajnë rroga të rregullta – tha Pavle Gacov- këshilltar tatimor.

Nuk ka dyshim se në gjendjen e këtillë ndikim të madh ka kriza politike që tashmë tre vite me radhë ka përfshirë vendin, thotë Gacov.

Ky numër, nëse vazhdon kriza politike- ekonomike, në të ardhmen do të rritet. Kjo do të thotë se në këto 4000 kompani do të shtohen edhe kompani të tjera që nuk do të mund të paguajnë rroga – u shpreh Pavle Gacov, këshilltar tatimor.

Javën e kaluar në një deklaratë për Alsat, nga inspektorati i punës konfirmuan se ankesat më të shpeshta nga punëtorët kanë të bëjnë pikërisht me vonesën e rrogave.

Nuk tolerohet mos- pagesa e rrogës, por gjendja e përgjithshme në ekonomi, jo- likuiditeti i kompanive çon në mos- pagesën e rrogave për punëtorët – theksoi Zllate Stojanovski- inspektor shtetëror i punës.

Ligji thotë se çdo kompani është e obliguar të paguaj rrogën e kaluar deri më datën 15-të të muajit të ardhshëm. Për çdo ditë vonesë, DAP u merr kamatë dënimi prej 0,03%. Nëse vonesa është më shumë se 15 ditë, për kompaninë parashihet gjobë prej 2500 deri 3500 euro ndërsa për personin përgjegjës 30% nga lartësia e gjobës së shqiptuar për kompaninë.