Mijëra qytetarë ‘braktisin’ shtetësinë e Kosovës

Vonesa në liberalizimin e vizave si dhe renditja në fund të indeksit të fuqisë pasaportave, siç duket po i detyron kosovarët të heqin dorë nga shtetësia e tyre.

Vetëm gjatë vitit 2017, një numër i madh i shtetasve të Kosovës, kanë proceduar kërkesat e tyre në Ministrinë e Punëve të Brendshme për ‘braktisjen’ e shtetësisë, shkruan lajmi.net.

E në anën tjetër, një numër shumë më i vogël kanë parashtruar kërkesa për fitimin e shtetësisë kosovare. Edhe ata që kanë proceduar për një kërkesë të tillë, shumica prej tyre janë kthyer prapa nga Ministria e Punëve të Brendshme për shkak që nuk kanë përmbushur kushtet e nevojshme për t’u pajisur me pasaportë kosovare.

Nga statistikat e ofruara nga Ministria e Punëve të Brendshme për lajmi.net, bëhet e ditur se vetëm gjatë vitit 2017, për lirim nga shtetësia e Kosovës kanë qenë gjithësej 5473 kërkesa.

Në të njëjtën periudhë, janë marrë 5675 vendime pozitive për lirim nga shtetësia e Republikës së Kosovës, e ndërsa 67 prej tyre ishin vendime negative. Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se numri i vendimeve është gjithëherë më i madh për shkak se çdo vit trajtohen edhe kërkesat e mbetura të vitit paraprak, dhe në këtë rast janë edhe vendimet e mbetura të vitit 2016.

E numër shumë më i vogël vërehet në statistikën për personat që kanë aplikuar për fitimin e shtetësisë së Kosovës.

Gjatë vitit 2017, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë proceduar gjithësej 594 kërkesa për fitim të shtetësisë në Republikën e Kosovës. E nga ky numër i përgjithshëm, 335 personave u është pranuar kërkesa e tyre pasiqë është konsideruar se kanë përmbushur kriteret e nevojshme, e në anën tjetër janë shënuar gjithësej 368 vendime negative në kërkesat për fitimin e pasaportës kosovare. Gjithëherë, me numër më të madh të vendimeve për shkak të trajtimit të kërkesave të mbetura nga vitet paraprake.

Ndryshe, në indeksin e fuqisë së pasaportave të botës, Kosova renditet njëri nga vendet me pasaportën më të dobët. E në anën tjetër ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi si kusht kryesor për liberalizimin e vizave, pritet që shtetasve të Kosovës t’u sjellë mundësinë që të udhëtojnë lirshëm në vendet e Evropës, proces ky që është në pritje tash e më shumë se tre vjet./Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme