Qindra miliona euro do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës vetëm shpronësimi i pronave në Hajvali, ku pritet të ndërtohet Rezidenca qeveritare.
Për këtë punë vendimi është marrë në Qeveri.
Megjithatë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila është vet inicuese dhe përgjegjëse e këtij vendimi, nuk po tregon se sa është sipërfaqja e “truallit” të ri qeveritar.
Edhe pse Ministria po e mban të fshehtë këtë çështje, ditëve të fundit në media ka qarkulluar lajmi se sipërfaqja me interes të veçantë do të jetë rreth 1 mijë hektarë.
Këshilltari i ministres Reshitaj, Leutrim Sahiti ka deklaruar se pas vendimit të qeverisë, kërkohet faza e dytë që nënkupton identifikimin e pronave për shpronësim, raporton Tribunachannel.
Për këtë proces, Sahiti thekson se ministria do të angazhojë një kompani private.
Sahiti shpreson që brenda vitit të përfundojë elaborati i shpronësimit, për të ditur me saktësi se cilat prona janë të përfshira në projekt.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave Muharrem Shahini deklaron se pa u bërë shpronësimi nuk do të ketë mjete dhe shumë të saktë për të blerë tokë për Qeverinë.
E për këtë projekt madhor, strukturën e saj nuk po e di saktë as Qeveria.
Sipas këshilltarit të kryeministrit Haradinaj, Haki Shatri, me buxhetin e vitit 2018 nuk ka mjete për këtë proces.
Vendimi për ndërtimin e Rezidencës qeveritare, u morë në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 13 prill.