Miliona nga Serbia për të akuzuarin për sulmin në Banjskë

Kompania “Rad 028”, në pronësi të Radulle Steviqit, nuk gjendet në adresën në Kosovë, ku figuron e regjistruar në sistemin serb, konstatoi Radio Evropa e Lirë.

Por, kjo nuk i pengon institucionet e Serbisë që t’i ndajnë asaj kontrata milionëshe për punë ndërtimore.

Steviq dhe kompania e tij, tash e pesë vjet, janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve me Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Vesellinoviqin, si dhe për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai përballet gjithashtu me akuza për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë.

Vetëm që nga fillimi i këtij viti, institucionet serbe kanë lidhur me kompaninë e Steviqit dhjetë kontrata me vlerë mbi një milion euro, edhe pse ajo nuk i ka përfunduar ende më shumë se njëzet punë të mëparshme, të cilat i janë besuar në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo dëshmohet nga dokumentacioni i tenderëve në bazën e prokurimeve publike të Serbisë, të cilin e analizoi Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa në terren mungojnë makineritë dhe punëtorët, Radio Evropa e Lirë nuk mundi të konfirmonte nëse punimet që figurojnë zyrtarisht si të përfunduara, janë realizuar vërtet.

Sipas aktakuzës së Kosovës për sulmin në Banjskë, Steviq, përmes kompanive të tij, e ka ndihmuar udhëheqësin e grupit të armatosur, Millan Radoiçiq, në pastrimin e parave.

Beogradi zyrtar, i cili nuk e njeh Kosovën si shtet, i hedh poshtë këto akuza.

Derisa dy sistemet nuk e njohin njëri-tjetrin, kompania e Steviqit vazhdon të bëjë biznes me institucionet e Serbisë, edhe pse pronari i saj kërkohet me fletarrestim ndërkombëtar, me kërkesë të Kosovës.

Se ku ndodhet aktualisht Radulle Steviq, nuk dihet.

Policia dhe Prokuroria në Beograd nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë nëse ai ndodhet në Serbi dhe nëse është nën hetime.

Në pyetjet e REL-it nuk u përgjigjën as kompania e Steviqit dhe as institucionet serbe që vazhdojnë të lidhin kontrata me të.

Rinovimi i shkollave, spitaleve, kishave dhe manastireve në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, si dhe ndërtimi i shtëpive për qytetarët në nevojë, janë vetëm disa nga projektet që i janë besuar kësaj kompanie.

Selia e kompanisë, prej kohësh, e zbrazët

Sipas regjistrit të bizneseve në Serbi, selia e kompanisë së Radulle Steviqit është e regjistruar në një ndërtesë në qendër të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Por, në këtë adresë, Radio Evropa e Lirë gjeti një ndërtesë shumëkatëshe të zbrazët.

Dyert ishin të mbyllura dhe nuk kishte asnjë shenjë që tregonte se aty ushtron veprimtarinë kompania “Rad 028”.

“Prej kohësh nuk është askush aty. Është bosh”, tha për Radion Evropa e Lirë një banore e Zveçanit, e cila kërkoi të mbetet anonime.

Ndërtesa ku është e regjistruar selia e kompanisë "Rad 028" dhe e cila, sipas pretendimeve të qytetarëve me të cilët bisedoi REL-i, është "e zbrazët që një kohë të gjatë". REL-i nuk e gjeti askënd në këtë ndërtesë.
Ndërtesa ku është e regjistruar selia e kompanisë “Rad 028” dhe e cila, sipas pretendimeve të qytetarëve me të cilët bisedoi REL-i, është “e zbrazët që një kohë të gjatë”. REL-i nuk e gjeti askënd në këtë ndërtesë.

Qytetarë të tjerë të Zveçanit, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thanë se kompania është zhvendosur në Rashkë, qytet në Serbi pranë kufirit me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi ta konfirmonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Ndërtesa ku thuhet se është selia e "Rad 028" në Zveçan.
Ndërtesa ku thuhet se është selia e “Rad 028” në Zveçan.

fdEkipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi gjashtë lokacione në Kosovë, ku, sipas kontratave të lidhura me institucionet serbe gjatë një viti e gjysmë të fundit, kompania “Rad 028” duhej të kryente punime ndërtimore.

Në asnjërin prej këtyre lokacioneve nuk u panë punime në zhvillim.

Po ashtu, mungonin edhe tabelat informuese që zakonisht tregojnë për investitorin dhe kompaninë zbatuese të projektit.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi të konfirmonte nëse punimet janë kryer gjatë muajve të kaluar dhe kush i ka realizuar ato, pasi kompania nuk iu përgjigj pyetjeve të saj.

Me kë punon “Rad 028”?

Numrin më të madh të kontratave, kompania e Radulle Steviqit e ka lidhur me organet e përkohshme komunale, të themeluara sipas ligjeve të Serbisë.

Këto institucione vepronin në komunat me shumicë serbe në Kosovë deri në vitin 2024, kur autoritetet e Kosovës i mbyllën, duke i cilësuar si të paligjshme.

Megjithatë, ato vazhduan punën nga lokacione alternative në qytete të Serbisë, pranë kufirit me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë i pyeti këto organe se mbi çfarë kriteresh ia ndajnë kontratat kompanisë “Rad 028” dhe si mbikëqyren projektet që ajo zbaton, duke pasur parasysh se pronari i saj është nën aktakuzë në Kosovë dhe nën sanksione ndërkombëtare.

As organet e përkohshme komunale, as Qeveria e Serbisë dhe Zyra e saj për Kosovën nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it.

Në tre vjetët e fundit, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar një sërë projektesh ndërtimore, të financuara nga Beogradi, me arsyetimin se ato nuk i kanë pasur lejet e nevojshme nga institucionet e Kosovës.

Nga dhjetë kontratat që “Rad 028” ka lidhur me institucionet serbe që nga fillimi i vitit 2026, vetëm dy figurojnë në regjistrin e prokurimit publik si të realizuara.

Njëra prej tyre ka të bëjë me furnizimin e nxënësve të shkollave fillore në Kosovë me pako për Vitin e Ri.

Gjatë vitit 2025, kompania lidhi më shumë se 30 kontrata me vlerë mbi 6.4 milionë euro.

Lista e tenderëve, sipas ueb-faqes së prokurimit, që u fituan nga "Rad 028" më 2026. Në këtë listë shihet se vetëm dy kontrata janë "ekzekutuar".
Lista e tenderëve, sipas ueb-faqes së prokurimit, që u fituan nga “Rad 028” më 2026. Në këtë listë shihet se vetëm dy kontrata janë “ekzekutuar”.

Ato përfshijnë ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë, si dhe rinovimin e shkollave, çerdheve dhe spitaleve në disa komuna të Kosovës.

Institucionet arsimore dhe shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Lista e tenderëve të fituar nga kompania "Rad 028" më 2025. Në të mund të shihen se nga 30 kontrata, dhjetë thuhet se janë "zbatuar", ndërsa puna për të tjerat nuk ka përfunduar.
Lista e tenderëve të fituar nga kompania “Rad 028” më 2025. Në të mund të shihen se nga 30 kontrata, dhjetë thuhet se janë “zbatuar”, ndërsa puna për të tjerat nuk ka përfunduar.

Sipas të dhënave zyrtare, 20 nga kontratat e vitit 2025 nuk janë realizuar ende.

Ndërkaq, 11 të tjera figurojnë si të përfunduara, përfshirë ndërtimin e shtëpive dhe rinovimin e objekteve publike.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi të verifikonte në terren nëse këto punime janë kryer vërtet, përkatësisht nëse shtëpitë janë ndërtuar dhe objektet janë rinovuar.

Pasqyrat financiare të kompanisë “Rad 028”, të publikuara në regjistrin e bizneseve në Serbi, tregojnë se gjatë vitit 2025 ajo ka pasur vetëm nëntë të punësuar, ndërsa ka realizuar të ardhura prej mbi 8.7 milionë eurosh.

Dokumentet nuk zbulojnë nëse kompania ka angazhuar nënkontraktorë apo bashkëpunëtorë të tjerë për të realizuar projektet e financuara nga institucionet shtetërore.

Dokumentacioni i tenderëve, i analizuar nga Radio Evropa e Lirë, tregon se “Rad 028” ka bashkëpunuar ndër vite me disa kompani që përmenden në aktakuzën e Kosovës për sulmin në Banjskë, si pjesë e një skeme të dyshuar të pastrimit të parave.

Në Llapnasellë, kompanisë së Radulle Steviqit i është besuar rinovimi i çatisë dhe lyerja e krahut të majtë të Qendrës Klinike Spitalore.

Kontrata, me vlerë rreth 200 mijë euro, është dhënë nga organi i përkohshëm i komunës së Prishtinës, i themeluar sipas sistemit serb.

Qendra Klinike dhe Spitalore në Llapnasellë. Qershor, 2026.
Qendra Klinike dhe Spitalore në Llapnasellë. Qershor, 2026.

Qendra Klinike Spitalore, e cila funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, u zhvendos nga Prishtina në Graçanicë dhe Llapnasellë pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Edhe sot, një pjesë e shërbimeve ofrohet në kontejnerë metalikë, ndërsa objekti është zgjeruar pjesë-pjesë ndër vite.

Qendra Klinike dhe Spitalore në Llapnasellë.
Qendra Klinike dhe Spitalore në Llapnasellë.

Gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të verifikonte nëse çatia është rinovuar dhe nëse krahu i majtë i objektit është lyer, siç parashihej në kontratë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, konfirmimin për kryerjen e punimeve nuk e dha as Qendra Klinike Spitalore.

Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar qysh në vitin 2018 se do të financojë ndërtimin e një spitali të ri në Graçanicë, por punimet për këtë projekt nuk kanë nisur ende.

Tri kontrata brenda një dite

Në korrik të vitit 2025, kompania “Rad 028” fitoi tre tenderë brenda një dite, me vlerë të përgjithshme prej rreth 250 mijë eurosh.

Të trija kontratat iu dhanë nga Qendra Studentore “Prishtina”, me seli në Mitrovicën e Veriut, për punime në objektet e saj – nga lyerja, suvatimi dhe rregullimi i fasadave, deri te ndërrimi i çative dhe dritareve.

Sipas sistemit të prokurimit publik të Serbisë, të analizuar nga Radio Evropa e Lirë, punimet figurojnë si të përfunduara në tetor dhe nëntor të vitit 2025.

Megjithatë, gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të verifikonte se cilat punime ishin kryer.

Ndërtesa e Qendrës Studentore në Mitrovicë të Veriut në qershor 2026.
Ndërtesa e Qendrës Studentore në Mitrovicë të Veriut në qershor 2026.

Për këtë nuk dha përgjigje as Qendra Studentore, e cila funksionon në kuadër të sistemit arsimor të Serbisë.

Qendra menaxhon konvikte, mensën, poliklinikën dhe shërbime të tjera për studentët e Universitetit të Prishtinës, i cili, pas luftës së vitit 1999, u zhvendos në Mitrovicën e Veriut.

One of the Student Center facilities in North Mitrovica, June 2026.
Një nga ndërtesat e Qendrës Studentore në Mitrovicë të Veriut. Qershor, 2026.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme