Kryeprokurori i porsazgjedhur i Gjakovës, Ali Selimaj, ka paditur kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lilën për shpifje.
Kryeprokurori përpos kompensimit kërkon nga Mimoza Kusari-Lila edhe të demantojë shpifjet e publikuara në mjetet e informimit.
Për shkak se nuk ka pranuar aktvendimin për përgjigje në padi përfaqësuesja e kryetares së Gjakovës kërkoi që seanca përgatitore në Gjykatën Themelore të Ferizajt të shtyhej, kërkesë që u pranua.
Padia ka të bëjë me deklaratat e dhëna nga Mimoza Kusari-Lila një vit më parë.
Sipas padisë, Mimoza Kusari- Lila në cilësinë e kryetares së Gjakovës e ftuar në emisionin “Jeta në Komunë”, të transmetuar në RTK më 31 janar 2016, duke u thirrur në punën e mëparshme të paditësit, ish-drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, pa bazë etiketon paditësin, ashtu që duke u përgjigjur në pyetjet e moderatores Jeta Xharra e godet integritetin e paditësit.
Sipas pretendimeve të kryeprokurorit, e pyetur nga një pjesëmarrëse në emision, Mimoza Kusari-Lila shpif duke thënë “A bën me ju pyet unë juve se si u bo që është sot prokuror përgjegjës ish-drejtori i Pronës me manipulimet ma të mëdha në nivel të vendit që kanë ndodhë?”.
Më tej në padi pretendohet se pas një replike me të njëjtën pjesëmarrëse Kusari-Lila denigron me fjalë paditësin, duke thënë se “me profesionalizëm ka vjedh shumë, është e saktë”.
Lidhur me të gjitha këto pretendime, kryetarja e Gjakovës për KALLXO.com tha se kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme në raport me atë që është pritur se çka dikush mundet me presupozu për një njeri sikurse është zotëri Selimaj. “Edhe në kohën kur ka qenë drejtor i Pronës në Komunën e Gjakovës, ka pasur dukshëm keqpërdorime që kanë rezultu me kallëzime penale që i kemi ba për keqpërdorim të pozitës dhe humbje të pronës publike”, tha ajo.