Ministri i Punëve të Brendshëm, Skender Hyseni, ka thënë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë hyrjen e trenit serb në Republikën e Kosovës. Ka thënë se për këtë arsye gjatë gjithë ditës janë duke qëndruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme bashkë me Drejtorin e Policisë për të koordinuar punët në drejtim të ndaljes së trenit serb.
“Gjatë gjithë ditës eprorët më të lartë të Policisë së Kosovës dhe me Drejtorin e përgjithshëm z. Shpend Maxhuni, jemi në Ministri duke e vëzhguar situatën rreth trenit ilegal të paralajmëruar nga Serbia. Jemi tërësisht të mobilizuar dhe të vendosur ta parandalojmë hyrjen e këtij treni në Republikën e Kosovës”, ka thënë Hyseni, për Gazetën Express.
“Policia e Kosovës është e mobilizuar që të ndërmarrë të gjithë veprimet e nevojshme që ta mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë ne Republikën e Kosovës. Në kemi bërë veprimet e nevojshme operative me Policinë e Kosovës. Kemi dërguar përforcime duke përfshirë të gjitha njësitë relevante për të parandaluar hyrjen e këtij treni në Republikën e Kosovës. Për të përmbushur një obligim kushtetues që ka policia me të gjitha njësitë përkatëse”, ka shtuar ai.
Ministri i Brendshëm ka thënë se janë të gatshëm të përdorin gjitha mjetet ligjore për të mos lejuar hyrjen e trenit serb.
“Jemi të vendosur që të përdorim të gjitha mjetet ligjore në dispozicion që të parandalojmë hyrjen e këtij treni ilegal në Kosovë. Është një provokim, i rëndë nga Serbia dhe këto provokime duhet të marrin fund një herë e mirë”, ka deklaruar Hyseni.