Ministri i Brendshëm, Spasovski nuk e përjashton mundësinë e procedurës së verifikimit për shitjen e qendrës tregtare Soravia

Gazetar: Adnan Qaili

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, vlerëson se ka mundësi që të hapet procedurë për kontrollimin e rrjedhave financiare rreth shitjes së Qendrës Tregtare “Soravia”, me të cilën, siç u njoftua një ditë më parë, Drin Ahmeti do të fitojë 39% të aksioneve të Soravia Invest dhe 49% të aksioneve të Soravia Management. Spasovski tha se para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë.

 “Këto janë të dhëna dhe informacione që ofrojnë mundësinë për të hapur një procedurë verifikimi, në radhë të parë qarkullimet financiare, dhe sigurisht Prokuroria Publike do të mund të hapë një hetim dhe mbi bazën e tyre të obligoj institucionet përkatëse ligj zbatuese që të kontrollojë të gjitha faktet dhe argumentet. Sa i përket gjithë asaj që del jashtë kornizave ligjore duhet patjetër të ketë përgjegjësi, pavarësisht a bëhet fjalë për politikanë apo dikë tjetër. Patjetër të jemi të gjithë të barabartë, nuk duhet të ketë selektime për zbatimin e procedurave juridike që në fund të kemi rezultate reale,” tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

 Nga ana tjetër VMRO-ja këmbëngul se faktet shihen qartë dhe se procedurë para hetimore duhet të hapet urgjentisht.

“Drin Ahmeti, me pranimin e djeshëm se ka marrë 39% të pronësisë së Qendrës Tregtare “Soravia”, pa dhënë asnjë denarë për të, vetëm pse ka një energji pozitive për biznes, vë në dyshim dhe inkriminon më tej Ali Ahmetin se ai personalisht qëndron pas kësaj ujdie. Prokuroria publike dhe organet e ndjekjes duhet të hapin hetim urgjentisht! Si 25 vjeçari nip i Ahmetit hyri në biznesin shumë milionësh pa dhënë asnjë denarë. A i ka ndihmuar funksioni i xhaxhait të tij? A ka bërë ndikime Ahmeti për të riun Drin që falas të përfitoj 39% pronësi të qendrës tregtare ‘Soravia’ që vlen 30 milion euro!?” – Dragan Kovaçki, VMRO DPMNE.

Nga Alternativa parashtrojnë pyetjen edhe sa nipa të tjerë ka Ahmeti për të rehatuar? Ata kumtuan se një tjetër nip i Ahmetit, është emëruar në trupën diplomatike nga ministri i BDI-së Bujar Osmani.

 Vetëm pak ditë pasi një nip 24 vjeçar i Ali Ahmetit e bleu qendrën tregtare “Soravia”, një nip tjetër i Ali Ahmetit është emëruar sekretar i parë i Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Bruksel. Pas Drin Ahmetit, që doli se kishte “shkathtësi të veçantë afariste”, nipi tjetër, Besian Ahmeti, doli se paska “shkathtësi të veçantë diplomatike” dhe kjo paska qenë arsyeja që ta emërojnë në diplomaci, pavarësisht se stazhi i tij është më pak se një vjet, ndërsa përvoja diplomatike është ZERO, thanë nga Alternativa. /alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme