Ministri italian Tajani vizitë në Shqipëri, pritet të takohet edhe me Ramën. Në fokus marrëveshja për emigrantët!

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, do të vizitojë sot (22 dhjetor) Shqipërinë, ndërsa do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama.


Mësohet se fokusi i vizitës së zyrtarit italian është çështja e marrëveshjes mes dy vendeve për emigrantët.

Tajani do të vizitojë Njësinë Kufitare Detare të Guardia di Finanza (NUFROM) me qendër në Durrës, i cili luan një rol kryesor në luftën kundër trafikimit të paligjshëm nga deti dhe trajnimin e forcave të policisë shqiptare.

Më pas, në Tiranë, Tajani mësohet se do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, njofton Ministria e Jashtme italiane.

Ndër të tjera, në njoftim thuhet se Tajani do të shkojë edhe në portin e Shëngjinit për të kryer një inspektim të zonës ku do të ndërtohet qendra e identifikimit të emigrantëve, siç kërkohet nga Protokolli për bashkëpunimin për migracionin ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, nënshkruar në Romë në datën 6 nëntor.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese në 13 dhjetor mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët afrikanë duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Seanca e parë, pritet të mbahet në 18 janar, 2024 ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe më pas brenda 3 muajve, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim mbi marrëveshjen.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni u shpreh se e respektonte vendimin e gjykatës dhe se do të priste deri në një vendim përfundimtar. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme