Rashiq, në një konferencë për media të hënën, ku bëri thirrje publike për subvencionim të projekteve inovative biznesore, tha se situata është delikate, por shtoi se kryeministri Albin Kurti ua do të mirën serbëve të Kosovës.
“Unë mendoj që në plan afatgjatë kryeministri Kurti ua do të mirën serbëve në veri. Mirëpo mendoj që në këtë rast, metodologjia nuk ka qenë adekuate. Unë bëj thirrje për tolerancë dhe përmbajtje. Ka ndodhur ajo që ka ndodhur dhe tani e them në mënyrë figurative që duhet t’i ngrijmë pozicionet”, ka theksuar Rashiq.
Megjithatë, ka thënë se veprimet, siç i ka cilësuar ai, të nxitueshme, e kanë shkaktuar situatën që po mbretëron në komunat veriore, ku serbët po protestojnë dhunshëm për të mos lejuar kryetarët e rinj të ushtrojnë funksionet nga ndërtesat komunale.
Nga kryetarët e rinj pret t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve.
“Edhe një herë dua ta përsëris atë që e ka thënë kryeministri, unë pres që kryetarët e rinj të jenë në shërbim të qytetarëve. Kur e them këtë mendoj atë që 95% e qytetarëve për këtë kanë thënë që nuk ka qenë ide e mirë”, ka deklaruar Rashiq.