Ministria e Drejtësia: Janë marrë masat për zbardhjen e vdekjes së Deharit

Ministria e Drejtësisë, ka bërë të ditur se është njoftuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për vdekjen e të paraburgosurit Astrit Dehari, në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

“Në momentin e marrjes së lajmit, janë aktivizuar të gjithë mekanizmat dhe institucionet relevante për t’u marrë me rastin. Zyrtarët e Shërbimit Korrektues, tashmë po kryejnë veprimet për sqarimin e rastit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Përveç kësaj, MD thekson se me kohë janë njoftuar ekipet e policisë, ndërkohë ekipi i Mjekësisë ligjore dhe Prokurorisë janë duke punuar për hetimin dhe sqarimin e rastit.

MD-ja i ka  shprehur ngushëllime pjesëtarëve të familjes Dehari, duke ndjerë keqardhje të thellë për rastin tragjik dhe   siguron opinionin se do të njoftohet me kohë, posa të merret raporti zyrtar nga organet gjegjëse.