Ministria e Drejtësisë ka shpallur konkurs për 70 zyrtarë korrektues, por si kriter ka vendosur moshën.Për meshkuj kufizimi është bërë deri në moshën 30 vjeç, ndërsa për femra deri në moshën 35 vjeçe. Ky konkurs po vlerësohet si diskriminues nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Këto institucione kërkojnë që ky konkurs të anulohet dhe të shpallet konkursi i ri, ku nuk do të bëhet një diskriminim i tillë.Institucioni i Avokatit të Popullit ka konfirmuar për “Zërin” se ka pranuar ankesa lidhur me këtë konkurs dhe se procesi ndodhet në fazën e hetimit.
“Meqenëse, tashmë Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesa që lidhen me këtë konkurs dhe procesi ndodhet në fazën e hetimit nuk mund të prononcohemi specifikisht për rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e këtij Institucioni.Avokati i Popullit vlerëson se përjashtimi apo dhënia e përparësisë duke vendosur si kriter moshën është diskriminim. “Sidoqoftë, parimisht përjashtimi apo dhënia e përparësisë duke vendosur moshën si kriter konsiderohet si diskriminim. Në çfarëdo trajtimi ndryshe kërkohet legjitimitet dhe proporcionalitet brenda normativës juridike në fuqi dhe në asnjë rrethanë kjo nuk mund të jetë çështje arbitrariteti”, thuhet në më tej në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit..