Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka bërë të ditur se dikasteri që drejton ajo është në pritje të kërkesës zyrtare të familjes Dehari lidhur me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për zhvillimin e një hetimi të pavarur rreth rastit të vdekjes së Astrit Deharit, që pati ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në hapësirat e Qendrës së Paraburgimit në Prizren, shkruan sot Koha Ditore.
Zyrtarja e lartë qeveritare ka pohuar se lidhur me këtë çështje do të veprohet sipas rekomandimit të Kuvendit të Kosovës. Hoxha ka theksuar se Ministria e Drejtësisë i ka marrë të gjitha masat në kuadër të mandatit të vet për këtë rast, derisa edhe Prokuroria është duke e vazhduar punën e vet.