Ministria e Financave përpiqet ta bllokojë punën e Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës

Edhe një Qendër e Mjekësisë Familjare së shpejti do të jetë në dispozicion të banorëve të Prishinës. Bëhet fjalë për renovimin e qendrës së studentëve e cila shumë shpejtë do t’i bashkëngjiten ciklit të modernizimit dhe zgjerimit të shërbimeve mjekësore në kryqytet.

Por, sfidë serioze për drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia del të jetë mungesa e stafit.

Ndonëse kanë bërë investime për riparimin e shumë qendrave të mjekësisë familjare, kryeqytetasit shpesh përballen me mungesë të shërbimeve mjekësore, raporton KTV.

Kjo për faktin se në këto qendra ka mungesë të stafit për të plotësuar nevojat.
Drejtori për shëndetësi në komunën e Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë se po përballen me një problem të tillë tash e sa muaj.
Thotë të kenë dërguar disa herë kërkesa, por përgjigje morën pas rreth 3 muajsh nga Ministria e Financave, për të mos plotësuar kështu as për së afërmi nevojat që kanë.

Edhe zyrtarë të kësaj ministrie kanë konfirmuar, përmes një përgjigjeje me shkrim, se e kanë aprovuar kërkesën e komunës. Ndërkohë, Vitia ka treguar se derisa 22 punonjës në këtë sektor kanë shkuar në pension, nevojat janë edhe për më tepër, marrë parasysh numrin e madh të banorëve dhe zgjerimin e shërbimeve.

“Në vitin 2013 ka pasur diku rreth 700 mijë vizita për një vit, kurse në 2015 1 milion e 100 mijë vizita. Është shtuar thuajse përgjysmë numri i vizitave ndërsa numri i mjekëve është po ai që ka qenë”, është shprehur Vitia për Kohavision.

Në Prishtinë, ka 32 institucione shëndetësore, përfshirë edhe poliklinikën stomatologjike dhe ambulancat në viset rurale./Sakte.net