Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas rastit të ndodhur në Malishevë, ku një grua 35-vjeçare ndërroi jetë pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në një ordinancë private në këtë komunë.
Në një deklaratë për media, Ministria e Shëndetësisë thotë se përmes Inspektoriatit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave për këtë rast që rezultoi me fatalitet për një qytetare.
“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryerësve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në reagimin e MSH-së.
Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.
“Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar”, thuhet tutje në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.
© SYRI.net