Ministria e Tregtisë nuk e di, por çmimet e naftës po ngriten çdo ditë

Shfrytëzuesit e naftës dhe derivateve të saj kohëve të fundit po paguajnë çmim më të lartë.

Por, në Departamentin për Rregullimin e Tregut të Naftës në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, thonë se nuk dinë që diçka e tillë po ndodh dhe theksojnë se çmimet janë të lira.

“Ne si Ministri nuk kemi informata lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar për klankosova.tv, Rexhep Bllaca, zyrtar i departamentit.

“Në Kosovë çmimi i naftës në bazë të legjislacionit në fuqi është i lirë dhe bëhet në bazë të ofertës dhe kërkesës. Në Kosovë nuk kemi ndonjë Autoritet Rregullativ që rregullon çmimin e naftës”.

Përkundër institucionit shtetëror, në Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës thonë se ka rritje të çmimit të karburanteve.

“Ka një rritje të lehtë të çmimit të derivateve në Kosovë, por këtë çmim e dikton berza ditore dhe organizata prodhuese OPEK”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

Për një litër dizel aktualisht çmimi sillet rreth 1.11 euro, ndërsa benzina kushton një cent më shumë.

Me gjithë ngritjen e çmimeve, Berjani thekson se qytetarët janë duke u shërbyer me derivate çmimi i të cilave është më i liri në rajon.

“Çmimet janë më të ulëta sesa në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni. Në Maqedoni çmimet kanë qenë më të lira për shkak të akcizës që në dizel ka qenë 20 centë më e lirë. Me vërejtjet e BE-së edhe shteti maqedon është detyruar ta rrisë akcizën e dizelit dhe tash jemi të barabartë me çmimin e dizelit, kurse në benzinë jemi më të lirë”.

Në fazën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimi i naftës në Kosovë ka qenë vetëm 98 centë.

Por, për këtë Berjani ka një shpjegim.

“Ka qenë ky çmim për arsye se kuota ndërkombëtare e prodhimit ka qenë e madhe, prandaj çmimi ka qenë më i lirë. Ndërsa sot sipas OPEK-ut, prodhimi është më i vogël për çka çmimi është më i lartë në gjithë globin”.

“Kjo ka ndikuar edhe në Kosovë”.

Pavarësisht se ka lëvizje të çmimit të karburanteve, ai fton shfrytëzuesit e tyre që mos shqetësohen.

“As qytetarët dhe as bizneset në Kosovë nuk kanë nevojë të bëjnë panik, pasi që janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion”.

Nga kompania e furnizimit me derivate, IP Petrol, gjithashtu kanë thënë për klankosova.tv se ka një ngritje të vazhdueshme të çmimit, për çka japin një shpjegim më ndryshe.

“Kjo ngritje po ndodh për shkak të ndryshimeve në bursë, dobësimit të euros karshi dollarit”.

Zyrtarët nga kjo kompani kanë treguar se benzina ofrohet me çmim 1.13 euro, ndërsa dizeli më një cent më lirë.

Nga të dhënat që kanë ofruar, vetëm në muajin e fundit ka lëvizje të çmimit për 4 centë, ndërkaq nga fillimi i vitit 2018 çmimet janë ngritur për 7 centë.

Më 1 janar, dizeli në këtë kompani është ofruar me 1.04 euro dhe benzina me 1.07. Më 1 mars, çmimi për dizel  ka qenë më i shtrenjtë për një cent, kurse ai i benzinës nuk ka lëvizur. Dhe më 1 maj, nafta ka pasur çmim 1.08 euro, kurse benzina 1.09 euro.

Kur llogaritet ngritja e çmimit të naftës nga 1 janari i këtij viti me periudhën aktuale, i bie se dizeli është shtrenjtuar për 7.69%, kurse benzina për të njëjtën periudhë për 5.60%, njofton Klan Kosova.

Por, nëse krahasohet në përqindje ngritja e çmimeve sipas të dhënave të Shoqatës së Naftëtarëve, duke krahasuar çmimin e një viti më parë me aktualin i bie se ka një ngritje për 13.26%.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme