Ministria turke Mbrojtjes Kombëtare tha se janë plotësisht kundër dëbimit të popullit palestinez nga Gaza, zhvendosjes së tyre ose dërgimit të tyre në vende të tjera, raporton Anadolu.
Këshilltari i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare për marrëdhëniet me publikun dhe mediat dhe zëdhënësi i Ministrisë Kundëradmirali Zeki Aktürk, në konferencën javore për media tha se konferenca e kësaj jave po mbahet në qytetin Kars, pasi atje po mbahet stërvitja dimërore ushtarake.
Duke informuar rreth luftës së ushtrisë turke kundër organizatave terroriste, Aktürk tha se që nga 1 janari kanë neutralizuar 321 terroristë.
Ai theksoi se duke vazhduar të mbështesë kauzat e drejta të vendeve vëllazërore, mike dhe aleate, përfshirë Republikën Turke të Qipros Veriore, Azerbajxhanin, Libinë, Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Katarin, Forcat e Armatosura Turke kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për sigurinë, paqen dhe stabilitetin botëror në një gjeografi të gjerë.
Aktürk theksoi se vendimi i Izraelit për ndalimin e aktiviteteve të Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNWRA) në territoret palestineze është një tjetër shkelje e ligjit ndërkombëtar nga Izraeli që hedh hije mbi armëpushimin dhe paqen.
“Izraeli që i detyron palestinezët të migrojnë nga tokat e tyre me politikat e tij aneksuese, me këtë vendim parandalon edhe të drejtën e migrantëve palestinezë për rikthim. Jemi plotësisht kundër dëbimit të popullit palestinez nga Gaza, zhvendosjes së tyre ose dërgimit të tyre në vende të tjera. Përsërisim thirrjen tonë drejtuar komunitetit ndërkombëtar për të njohur shtetin e Palestinës, për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete dhe për të ofruar ndihmë të pandërprerë humanitare në Gaza”, tha zyrtari turk, duke shtuar se vendi i tij më 30 janar ka dërguar 24 tonë ndihma humanitare në aeroportin ndërkombëtar “Marka” të Jordanisë drejtuar Gazës.
– Përgjigje ndaj pretendimeve se “Türkiye do të krijojë bazë në Siri”
Ndërkaq, burimet e ministrisë iu përgjigjën edhe pretendimeve në media se “Türkiye do të krijojë bazë në Siri”.
Duke theksuar se prioriteti i Türkiyes është ruajtja e integritetit territorial të Sirisë, sigurimi i stabilitetit në Siri dhe parandalimi i aktiviteteve të terroristëve, veçanërisht PYD/YPG, në veri të Sirisë, burimet bënë të ditur se mbështesin përpjekjet e qeverisë së re siriane për të stabilizuar dhe normalizuar marrëdhëniet në të gjithë Sirinë.
“Në kuadër të kërkesave të qeverisë së re të Sirisë, do të krijohet udhërrëfyes i përbashkët për të zhvilluar kapacitetet e ushtrisë siriane, do të ndërmerren hapa konkrete”, theksuan burimet.
Ndërkaq, lidhur me pretendimet në mediat spanjolle se Türkiye do të blejë 40 avionë luftarakë “Eurofighter Typhoon”, prej të cilëve 20 të dorës së dytë e 20 të reja, burimet theksuan:
“Vazhdon puna për furnizimin me 40 avionë ‘Eurofighter Typhoon’ për të plotësuar nevojat operacionale të Forcave tona Ajrore. Ne duam të blejmë 40 avionë në konfigurime të ndryshme. Këto kombinime mund të ndryshojnë, asgjë nuk është e sigurt për momentin”.