Ministrja e Arsimit Janevska do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e universiteteve dhe profesorët

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka paralajmëruar një fazë të re të konsultimeve për ndryshimet ligjore në arsimin e lartë, duke bërë thirrje për përfshirje të gjerë të komunitetit akademik. Janevska bëri të ditur se debati publik mbetet i hapur dhe se ministria është e gatshme të dëgjojë çdo vërejtje të arsyeshme. Ajo bëri të ditur se nga java e ardhshme do të nisë një turne vizitash nëpër universitetet e vendit për të diskutuar drejtpërdrejt me profesorët rreth vërejtjeve që kanë të bëjnë me draftin e ri.

” Çdo gjë që mendojmë se mund të paraqesë problem, do të diskutohet. Unë paralajmërova, dhe besoj se që nga java e ardhshme, në marrëveshje me universitetet, do të nisim vizitat nëpër universitete për dëgjime publike. Kjo nënkupton takime të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me të gjithë profesorët që do të dëshirojnë të marrin pjesë në dëgjimin publik, ku do të diskutojmë nenet kontestuese, sepse shoh që për pjesën dërrmuese nuk ka vërejtje; kontestuese mbeten vetëm disa nene për të cilat duhet të merremi vesh dhe të diskutojmë”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Nga ana tjetër, ministrja Janevska mbetet në qëndrimin sa i përket cilësisë dhe nevojës urgjente për ndryshime ligjore në arsimin e lartë. Ajo theksoi se mbështetja financiare dhe ligjore nuk do të mungojë, por priten rezultate konkrete.

“Ne nuk kemi më kohë të luajmë me arsimin dhe shkencën, nuk kemi kohë për rezultate mesatare apo nën mesatare që na sollën në këtë situatë. Duhet të ecim përpara; ministria e mbështet përparimin si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë financiar. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që përmes legjislacionit por edhe financiarisht të mbështeten arsimi dhe shkenca, dhe prandaj konsideroj se mbarë opinioni duhet të ketë qasje në këtë proces, por edhe mirëkuptim për të”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Propozim ligji për Arsimin e Lartë dhe Cilësinë e Arsimit të Lartë mes tjerash parasheh rritje të cilësisë dhe kritere më të forta akademike. Çdo profesor do të jetë i detyruar të ketë nga 6 deri në 7 punime shkencore përpara zgjedhjes në titull, prej të cilave 3 ose 4 duhet të jenë të publikuara në revista me faktor impakti. Ndryshimet parashikohen në organizimin dhe financimin e universiteteve. Universitetet do të marrin më shumë mjete nëse përmbushin kritere të larta suksesi. Studentët që kanë studiuar në njërin nga 100 universitetet më të mira botërore me bursa shtetërore do të kenë përparësi punësimi në universitetet shtetërore. Mandati i rektorëve kthehet në 4 vite nga 3 që është aktualisht dhe ndryshon modeli i zgjedhjes së tyre./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme