Në konferencën e fundvitit me gazetarë, ministrja e Mjedisit Albena Reshitaj tha se secili prej 6 zëvendësministrat e kësaj ministrie do të ketë punë në ministri.
“Ne jemi një koalicion i madh qeveritar dhe është vendosur për një numër të madh të zëvendësministrave dhe besoj që do të ketë hapësirë dhe mundësi që të kontribuojnë edhe ata. Prej janarit kam mendu të bëj një plan veprimi që edhe ata të kontribuojnë, besoj që do të ketë punë për të gjithë, sidomos në një ministri si kjo”, tha ministrja Reshitaj.
Ajo e ka cilësuar si sukses të veçantë arritjen e marrëveshjes me banorët e Hades dhe Shipitullës për shpronësim nga pronat e tyre.
“Një sukses i veçantë është edhe puna jonë e përbashkët me MZHE-në dhe kryeministrin për çështjen e zhvendosjes në zonat e Shipitullës dhe Hadës. Ne si ministri kemi filluar menjëherë me procedurat e shpronësimit”, tha ministrja Reshitaj.
Ministrja Reshitaj kishte premtuar në Emisionin Jeta në Kosovë se do të zëvendësojë qymyrin në 3 institucione shkollore me drunj dhe këtë premtim ajo e kishte mbajtur.
Ndërsa sot tha se janë duke punuar që të vazhdojnë më këtë ritëm.
“Ne kemi filluar me zëvendësimin në dy kopshte të fëmijëve dhe një shkollë. Jemi duke identifikuar edhe në disa qytete tjera, si në Gjakovë, Pejë, Obiliq etj. Ne nuk po blejmë dru, nuk jemi të interesuar të blejmë dru, por po i përdorim drunjtë e konfiskuar. Nuk kam thënë që do t’i prejmë drunjtë, por po i përdorim drunjtë e konfiskuar. Gjithmonë po apelojmë që ata që kanë mundësi, që ne deri sa të u gjejmë ndonjë alternativë tjetër për ngrohje të mos përdorin thëngjillin”, tha ndër tjerash Ministrja Reshitaj.
Ajo gjithashtu shtoi se janë duke e përpiluar një vendim së bashku me Ministrinë e Arsimit që të ndalin përdorimin e thëngjillit nëpër shkolla.
Ajo përmendi si sukses edhe udhëzimin administrativ që ua pamundëson zyrtarëve të ministrisë përdorimin e veturave zyrtare pas orarit të punës.