Në takimin e Këshillit Kombëtar për Investime, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj prezantoi para të pranishmeve 19 projekte prioritare për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të mjedisit në Kosovë.
Këto projekte që kapin vlerën rreth 720,478,700 euro përfshin: Trajtimin e ujërave të zeza, reduktimin e ndotjes së ajrit, rehabilitimin e shtretërve te lumenjve, mbrojtjen e burimeve ujore, trajtimin e duhur te mbeturinave si dhe krijimin e një planifikimi hapësinor sipas standardeve evropiane, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me Komunat dhe donatoret ndërkombëtar
Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave acidike në minierën e Novobërdës, ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën, Gjilanin, Ferizajin, Mitrovicën dhe Pejën, Rehabilitimi dhe mbrojtja e kanalit të “Ibër Lepencit”, Renovimi dhe zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit me ujë të pijshëm për rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës, Pastrimi i shtretërve dhe brigjeve të lumenjve nga mbeturinat, Ndërtimi i objekteve për ruajtjen e mbeturinave të rrezikshme, Rehabilitimi dhe ndërtimi i infrastrukturës mbrojtëse nga përmbytjet përgjatë lumit Morava e Binçes, Përmirësimi i gjendjes teknike dhe operuese në deponinë e rajonit të Prishtinës në Mirash, Faza e dytë e ndërtimit të hidrosistemit “Ibër-Lepenc” si dhe ndërtimi i sistemit hidro-teknik, Desivojcë – Kremenat – Gjyrishevc janë disa nga projektet që do të realizohen në fushën e mjedisit, shkruan Koha.net
Në sektorin social Reshitaj prezantoi dy projekte madhore për zhvendosjen e banoreve në Haden e Re në Shkabaj si dhe restaurimin e minierës për ta sjellë tokën sërish në gjendje për përdorim produktiv posaçërisht për bujqësi, me kosto prej 16.950 milionë euro si dhe projektin e Programit të Banimit Social në Kosovë, me kosto prej 9.533,800 milionë euro.
Përfitues direkt nga Programi i Banimit Social do të jenë së paku 200 familje në nevojë për banim social, kryesisht të riatdhesuarit, familjet qe jetojnë nen kushtet minimale për banim, si dhe familjet të cilët nuk janë në gjendje ti përballojnë ofertat e tregut të lirë të banesave në Kosovë.
Në fund Reshitaj u zotua që këto projekte që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës do të realizohen sipas afateve kohore dhe kritereve të përcaktuara me kontratë.