Gazetare: Fatlume Dervishi
Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian u bën thirrje autoriteteve në Shkup të bëjnë ndryshime kushtetuese, të forcojnë sundimin e ligjit dhe të luftojnë korrupsionin. Pas dy vitesh ngecje, Komisioni miratoi më në fund raportin për Maqedoninë e Veriut.
Gjatë debatit, me shumicë votash u shmang ajo për të cilën ditë më parë paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski. Gjuha dhe identiteti maqedonas nuk morën përshkrim shtesë, pavarësisht amendamentit që u prezantua.
“Të futet thjeshtë fjala “modern” në katër vende që të shkruaj “gjuha dhe identiteti modern maqedonas”, tha Mihail Gahler, Eurodeputet nga Gjermania.
Shumica nuk e votuan këtë propozim por një pjesë e deputetëve paralajmëruan se do ta dorëzojnë propozim të pakicave, që do të thotë qëndrim i disa deputetëve pakicë, që është I ndryshëm nga shumica.
“Pas mbledhjes dua të paraqes pozitën e pakicave që do t’ua prezantoj juve”, u shpreh Ivajlo Vallçev, Eurodeputet nga Bullgaria.
Pavarësisht disa kundërshtimeve, raporti në komision u votua me 40 vota për, 19 kundër dhe 10 të përmbajtur.
“Jam krenar për gjithë punën e madhe që u bë për të gjetur kompromise, në mënyrë që të mund ta miratonim këtë raport të ekuilibruar mirë me një shumicë të gjerë politike. BE-ja duhet të qëndrojë e bashkuar me fqinjët e saj në situatën sfiduese gjeopolitike me të cilin përballemi. Maqedonia e Veriut i përket BE-së. Pas 20 vitesh negociatash, ne duhet të ruajmë vrullin e mirë aktual për të çuar më tej procesin e zgjerimit”, tha Tomas Vajc, Eurodeputet, Raportues për Maqedoninë e Veriut.
Në raport theksohet se “pranimi në BE është, në fund të fundit, është një çështje vullneti politik, si në miratimin e reformave ashtu edhe në miratimin e amendamenteve kushtetuese”.
“Eurodeputetët u bëjnë thirrje të gjitha partive politike në Maqedoninë e Veriut të angazhohen në dialog konstruktiv për të arritur konsensusin e kërkuar, i cili do të forconte karakterin shumëetnik të vendit dhe do të përshpejtonte progresin në BE. Ata kërkojnë një fokus të fortë në zbatimin e reformave, veçanërisht në administratën publike, qeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin”, thuhet në raport.
Eurodeputetët bëjnë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak dhe për rishikimin gjithëpërfshirës të Kodit Zgjedhor, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Raporti tani do të paraqitet për votim në Parlamentin Evropian gjatë një seance plenare të ardhshme. /Alsat.mk