Pas mbledhjes së Këshillit të Ministave, ministri i Financave i ndalur në një deklaratë për mediat, është shprehur se gjatë mbledhjes së sotme u miratuan vendimet për rritjen e pagave në sektorin publik.
“Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, u shpreh Mete.
Nga politika e rritjes së pagave, vijoi më tej Ministri Mete, do të përfitojnë: punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; punonjësit e sistemit shëndetësor; punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi); si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.
Nga ana tjetër, Ministri Mete informoi se, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026.