Më datë 17 maj të vitit 2018, një ngjarje e rëndë e ndodhur brenda dhomave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë, tronditi jo vetëm qytetin, por gjithë Shqipërinë.
Ndërkohë që familjarët e 27-vjeçarit Enea Ftoi, i cili ishte ndaluar prej 3 ditësh, prisnin përpara gjykatës ku do t’i njoftohej masa për akuzën e bluve për vjedhje, atyre iu thanë se ai kishte vdekur.
Ata kishin folur me atë në datën 15, dhe sipas dëshmisë së nënës edhe mbrëmë te “Çim Peka live”, Enea ishte në gjendje të mirë edhe pse u ankua se e kishin rrahur keq.
Enea Ftoi, pjesëtar i komunitetit egjiptian në Korçë, nuk vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe sipas familjarëve ishte një djalë i fortë dhe i shëndetshëm, por gjithsesi atë sipas policisë “e la zemra papritur”.
Ndaj edhe nxitoi që të nxirrte një komunikatë për median me vetëm 5 rreshta.
Aty theksohej se në trupin e 27-vjeçarit nuk kishte shenja dhune, dhe se sipas informacioneve paraprake të tyre, i riu që kishte ndërruar jetë “papritur” në qelitë e tyre, kishte qenë edhe përdorues droge.
Një komunikatë të tillë pa pritur ekspertizën mjeko-ligjore dhe hetimet e prokurorisë, ku vetëm mohohet përgjegjësia e policisë dhe fajësohet e demonizohet viktima do ta shohin sistematikisht në vijim, për raste të ngjashme.
Familja e Eneas këmbënguli deri në fund se djali i tyre ishte dhunuar brenda ambienteve të Komisariatit dhe se i ishte mohuar ndihma e shpejtë në spital. Ata publikuan edhe disa fotografi, dhe të tjera që nëna e viktimës i nxori mbrëmë në emisionin e Çim Pekës, ku duken shenjat e një dhune barbare ndaj të riut përpara vdekjes. Këmbë e krahë të thyer, hematoma gjithandej dhe madje edhe prerje me thikë.
Trupi iu dorëzua familjes pas ekspertizës me makijazh, por gjithsesi gjaku që kishte rrjedhur nga prapa kokës nuk ishte fshehur dot. U zhdukën dhe nuk iu kthyen më familjes as atletet dhe rrobat e Eneas, të cilat gjithashtu ishin mbushur me gjak.
Në atë periudhë u zhvilluan disa protesta përpara godinave të Policisë së Korçës dhe ministrisë së Brendshme, por çështja u mbyll shpejt duke shfajësuar policinë.
Gjithsesi gjatë hetimit të kësaj ngjarje nga Avokati i Popullit, u konstatua një realitet i frikshëm në ambientet e policisë së Korçës, i cili është evident në të gjithë Shqipërinë.
Rezultoi se në ambientin e dhomave të sigurisë të këtij Komisariati, sistemi për kontrollin, monitorimin dhe regjistrimin me anë të pajisjeve audio-vizive, të veprimeve të punonjësve të Policisë, që kryejnë me të arrestuarit/ndaluarit, apo marrjen në pyetje nga përfaqësuesit e organit të akuzës, nuk funksiononte për një periudhë të gjatë kohore.
Gjithashtu, në dhomën e marrjes në pyetje të të arrestuarve/ndaluarve, nuk ekzistonin fare kamera, edhe pse kjo parashikohet qartë në ligje dhe rregulloret përkatëse.
E vërteta është se Korça nuk është një rast i veçuar. Shumë të ndaluar apo arrestuar me rastin e protestave të fundit por edhe në të tjera më herët kanë rrëfyer për mediat, se gjatë marrjes në pyetje në komisariatet e policisë në Tiranë i janë nënshtruar sistematikisht dhunës psikike e verbale, por edhe asaj fizike.
Policia po sistematikisht ka mohuar çdo denoncim të tillë dhe çështje janë mbyllur pasi njësoj si në Korçë. Tashmë të paktën për Avokatin e Popullit nuk është më sekret që në mjaft komisariate, në ambiente e sigurisë dhe veçanërisht në dhomat ku merren në pyetje të ndaluarit, ose nuk ka fare kamera, ose zakonisht janë jashtë përdorimit apo të fikura.
Njësoj siç ndodhi me kamerat e trupit në rastin e efektivëve të “Shqiponjave”, natën e vrasjes së Klodian Rashës.
© SYRI.net