MISTERI NË MATKË: Zhytësi zbret 338 metra nën tokë, por ajo që fshihet më poshtë është e pabesueshme

Shpella nënujore Vrelo në kanionin e Matkës ka hyrë në histori, pasi një ekip ndërkombëtar zhytësish arriti të eksplorojë deri në 338 metra thellësi, duke e renditur atë si shpellën më të thellë nënujore të eksploruar ndonjëherë nga njeriu.

Ekspedita u zhvillua nga 10 deri më 17 tetor 2026, me pjesëmarrjen e 12 zhytësve nga Maqedonia e Veriut, Polonia dhe Italia. Gjatë zhytjes përfundimtare, që zgjati nëntë orë, zhytësi polak Bartolomej Pitalla arriti në një thellësi rekord, por zbuloi se shpella vazhdon të zbresë edhe më poshtë.

“Kalimi vazhdonte të zbriste pjerrtas. Rruga ishte e hapur. Në atë moment isha njeriu që kishte arritur thellësinë më të madhe në Tokë”, rrëfeu Pitalla, duke përshkruar çastin kur arriti në 338 metra.

Sipas tij, gjatë zhytjes nuk pati probleme me shikimin apo me përzierjen e gazrave që përdorte. Megjithatë, për shkak të rreziqeve ekstreme dhe kufizimeve të pajisjeve, ai vendosi të mos vazhdonte më tej.

Nga vendi i tretë në botë drejt rekordit

Në vitin 2025, Pitalla dhe ekipi i tij kishin arritur të eksploronin shpellën deri në 287 metra thellësi. Me këtë rezultat, Vrelo ishte renditur ndër shpellat nënujore më të thella në botë.

Më herët, zhytësi italian Luigi Casati kishte arritur në 212 metra në vitin 2009, ndërsa polaku Krzysztof Starnawski kishte zbritur deri në 242 metra në vitin 2017.

Ekspedita e këtij viti jo vetëm që theu rekordin e mëparshëm, por solli edhe zbulime të reja në sistemin e ndërlikuar të shpellës, njofton DW.

Sipas Goce Dimitrievskit nga klubi i zhytjes “Vrelo”, gjatë ekspeditës u eksploruan dhe u hartëzuan rreth 150 metra kalime të panjohura më parë.

Ekipi zbuloi dy kalime të reja. I pari ndodhet rreth 300 metra larg hyrjes së shpellës, në thellësi prej 33 metrash, dhe është afërsisht 100 metra i gjatë. Kalimi i dytë gjendet në thellësi prej 170 metrash, është rreth 30 metra i gjatë dhe bashkohet sërish me kanalin kryesor në thellësinë 185 metra.

Sipas Slobodanka Jakimovskës, zhytëses së parë profesioniste në vend dhe anëtares së ekipit “Vrelo”, këto zbulime kanë rëndësi të veçantë për kuptimin e strukturës dhe ndërlikueshmërisë së sistemit nënujor.

Gjashtë muaj përgatitje për nëntë orë nën ujë

Përgatitjet për ekspeditën zgjatën gjashtë muaj. Për herë të parë, ekipi maqedonas ndërtoi dhe vendosi një dhomë nënujore të mbushur me ajër, të njohur si habitat, në thellësi prej tetë deri në nëntë metrash.

Ajo u vendos rreth 130 metra larg hyrjes së shpellës dhe shërbeu si mbështetje shtesë për sigurinë e zhytësve gjatë ndalesave të gjata të dekompresionit.

Brenda shpellës u vendosën më shumë se 30 bombola me përzierje të ndryshme gazesh, në rreth dhjetë pika, si dhe bateri rezervë për sistemet e ngrohjes dhe ndriçimit.

Siguria ishte përparësia kryesore, pasi zhytjet në thellësi të tilla paraqesin rrezik të lartë për sëmundjen e dekompresionit dhe çrregullime neurologjike të shkaktuara nga presioni i madh.

Për çdo eventualitet, në gatishmëri ishin ekip mjekësor i specializuar për trajtimin në dhomë hiperbarike, njësia e helikopterëve e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pjesëtarë të njësisë speciale “Tigri” me varka të shpejta dhe ekipet e Ndihmës së Shpejtë.

Organizatorët u përballën edhe me një pengesë tjetër para fillimit të ekspeditës. Dy javë më herët, një shembje shkëmbinjsh kishte bllokuar pjesërisht hyrjen e shpellës. Zhytësit e klubit “Vrelo”, së bashku me kolegët e klubit serb “Vidra”, punuan dy ditë për pastrimin e hyrjes dhe krijimin e kushteve të sigurta për ekspeditën.

Shpella mund të jetë më e thellë se 350 metra

Megjithëse rekordi i ri është 338 metra, studiuesit besojnë se Vrelo fsheh ende shumë sekrete.

Pamjet e regjistruara gjatë zhytjes tregojnë se shpella vazhdon më thellë dhe se ekzistojnë disa kalime që mund të çojnë drejt pjesëve ende të paeksploruara.

“Në një thellësi prej rreth 300 metrash ka dy kalime, një në të majtë dhe një në të djathtë. Barti zgjodhi atë në të majtë, por nuk e dimë se çfarë fshihet më poshtë në kalimin tjetër”, shpjegoi Dimitrievski.

Sipas ekipit, ekzistojnë vlerësime se shpella mund të jetë më e thellë se 350 metra, por aktualisht nuk mund të përcaktohet se ku përfundon.

Për vazhdimin e kërkimeve do të nevojiten përparime të reja teknologjike në pajisjet e zhytjes. Sipas anëtarëve të ekipit, aktualisht nuk ka prodhues që garanton funksionimin e pajisjeve në thellësi mbi 350 metra.

Pavarësisht rekordit dhe zbulimeve të reja, misteri më i madh i Matkës mbetet ende i pazgjidhur: sa e thellë është në të vërtetë shpella Vrelo?

Përgjigjja mund të kërkojë pajisje të reja, përgatitje edhe më të mëdha dhe ekspedita të tjera, ndërsa kalimet e paeksploruara vazhdojnë të ushqejnë kureshtjen e studiuesve. (INA)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme