Analiza më të hollësishme, padyshim që do të bëhen në vijim, kur të mbarojë emergjenca e kërkimit në rrënoja për të mbijetuar nga tërmeti shkatërrues që ra sot rreth orës 4 të mengjesit. Mirëpo, janë disa detaje që të bëjnë përshtypje.
Një prej dramave më të mëdha ishte ajo e familjes Lala në Durrës. Anëtarët e kësaj familje të madhe me origjinë nga Kosova ishin në vilën 3 katëshe. Prej tyre ka mbijetuar deri tani vetëm 17 vjeçari Ramë Lala.
Vila u shemb dhe ra përdhe në orën 12:00 dhe kjo u pa ‘live’ nga transmetimet e televizioneve. Në këtë moment, nuk kishte më çfarë të shpëtoje, sepse kishte vetëm gërmadha.
Pyetja është, përse për 8 orë nuk u bë asgjë? Pse nuk pati një ndërhyrje?
Mund të ishte e vështirë. Disa thonë që ajo godinë nuk kishte mjaftueshëm hekur, dhe mund të binte nga çasti në çast, e të thyhej si të ishte lodër. Kështu që, dukej e pamundur ndërhyrja. Por fakti është, se aty qendruan për 8 orë shumë prej viktimave, përpara se ndërtesa të binte krejt në tokë.
Ditët në vijim ndoshta do të sjellin një analizë më të qartë për këtë situatë. Misteri ngelet i fortë./Mapo