Mjekët amë kanë dhënë mbi 1 mijë receta për terapi kronike vetëm në një ditë pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë që për këtë shërbim pacientët të mos drejtohen në specialistë. Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti takoi një pjesë të mjekëve amë lidhur me reformën në mbrojtjen shëndetësore primare. Recetat nga mjekët amë kanë të bëjnë me 5 sëmundje kronike, për diabetin, astmën, gjëndrën tiroide dhe tensionin e lartë. Autoritetet shëndetësore paralajmëruan se në të ardhmen mjekët amë do të mund të japin receta edhe për ilaçe të tjera dhe sëmundje të tjera si dhe udhëzime laboratorike për analiza më të ndërlikuara. Sipas analizave të Ministrisë së Shëndetësisë deri më tani rreth 30 për qind e pacientëve klinikat e vendit i kanë vizituar vetëm për të vazhduar terapinë e ilaçeve të tyre dhe jo për kontroll te specialisti.
“Procesi i punës me pacientët, të cilëve u përshkruhet terapi për sëmundjet kronike nuk është aspak i ndërlikuar, udhëzimet e qarta ua lehtësojnë punën mjekëve amë kështu që kemi nisje të shkëlqyer të reformës. Gjatë ditës së djeshme, sipas të dhënave të “Terminit tim”, 506 pacientë kanë marrë terapi për sëmundjen e tyre kronike nga mjeku amë. Ndërkohë janë përshkruar 1073 ilaçe”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë. /Alsat.mk